Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka njoftuar se mbrëmë në orën 22:05 territori i Kosovës, përkatësisht zona juglindore Prizren–Shtërpcë, është goditur nga një tërmet me magnitudë 4.8 sipas shkallës Rihter dhe intensitet VI ballë të shkallës së Merkalit.
Sipas AME-së, tërmeti ka pasur thellësi hipoqendrore prej rreth 5 kilometrash, ndërsa epiqendra është lokalizuar rreth 23 kilometra në lindje të Prizrenit, me koordinata gjeografike 42.144 dhe 20.985.
“Tërmeti është ndier dukshëm nga qytetarët në pjesë të ndryshme të Kosovës dhe, për shkak të forcës së tij, ka pasur potencial për të rrezikuar qytetarët dhe për të shkaktuar dëme materiale të lehta” thuhet në njoftimin e Agjencisë së Menaxhimit Emergjent.
Agjencia ka theksuar se kjo ngjarje konfirmon se zona e Prizrenit është zonë sizmogjene aktive, ashtu siç parashihet edhe në Hartën e Rrezikut Sizmik për Kosovën.
“Deri në këto momente, nuk ka raportime zyrtare për dëme serioze apo persona të lënduar, ndërsa institucionet përgjegjëse janë në gatishmëri të plotë dhe po e monitorojnë situatën në vazhdimësi” theksohet në njoftim.
AME u ka bërë thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të informohen vetëm nga burime zyrtare, ndërsa në rast të lëkundjeve të tjera të qëndrojnë larg dritareve dhe objekteve që mund të bien, të strehohen nën tavolina të forta ose pranë mureve mbajtëse dhe pas lëkundjeve të dalin me qetësi në hapësira të hapura.
Po ashtu, qytetarët këshillohen të mos përdorin ashensorët, të shmangin lëvizjet e panevojshme me automjete, të kontrollojnë banesat për dëmtime eventuale dhe të ndihmojnë personat në nevojë.
Për emergjenca, qytetarët mund të kontaktojnë numrat 112, 193 dhe 192, të cilët janë në dispozicion 24 orë në ditë.



Të tjera
Shpallen në kërkim disa të rinj në Prishtinë
Opozita pritet të nxjerrë kandidat për president, jo të mbështesë Osmanin
Fjalët përmbyllëse, avokati i Hashim Thaçit mbërrin në Gjykatën Speciale