Anglia shkruan histori pas fitores ndaj Kroacisë, vendos rekord në ndeshjet hapëse të Botërorit – Ekonomia Online

Anglia shkruan histori pas fitores ndaj Kroacisë, vendos rekord në ndeshjet hapëse të Botërorit

Kombëtarja e Anglisë e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën në Kupën e Botës 2026, duke triumfuar me rezultat 4-2 ndaj Kroacisë në ndeshjen e parë të fazës së grupeve.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Thomas Tuchel tregoi forcë sulmuese dhe efikasitet përballë kroatëve, duke siguruar tre pikë të rëndësishme në startin e turneut.

Përveç suksesit në fushë, kjo fitore ka edhe një rëndësi historike për “Tre Luanët”. Anglia ka arritur të fitojë ndeshjen hapëse të Kupës së Botës për herë të tretë radhazi, diçka që nuk e kishte bërë kurrë më parë në historinë e saj.

Seria pozitive nisi në Botërorin e vitit 2018 me fitoren 2-1 ndaj Tunizisë, vazhdoi në Katar 2022 me triumfin bindës 6-2 kundër Iranit dhe tani është zgjeruar me suksesin 4-2 ndaj Kroacisë në Botërorin 2026.

Hera e fundit kur anglezët e nisën një Kupë Bote me humbje ishte në vitin 2014, kur u mposhtën 2-1 nga Italia në ndeshjen e parë të grupit.

Ky rekord i ri dëshmon vazhdimësinë dhe stabilitetin e Anglisë në turnetë madhorë, ndërsa skuadra konsiderohet një nga pretendentet serioze për të shkuar larg në këtë edicion të Kupës së Botës.

Në takimin e radhës, më 23 qershor, Anglia do të përballet me Ganën, në një ndeshje që mund t’i afrojë edhe më shumë anglezët me kualifikimin në fazën me eliminim direkt.