Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja ka vendosur të ushtrojë padi për shpifje ndaj gazetarit Baton Haxhiu, i cili të mërkurën e javës së kaluar tha në Pressing se e kishte dëgjuar një bisedë të përgjuar të Milan Radojçiqit me një deputet të Kuvendit të Kosovës, për të cilin supozonte se ishte Muja.
Muja, përmes një letre publike, u ka bërë thirrje organeve të rendit që të bëjnë “hetim të plotë dhe të paanshëm” lidhur me deklaratat të cilat i quajti “shpifëse dhe dezinformuese”.
“Në datën 9 tetor 2024, gjatë një transmetimi në emisionin Pressing të televizionit T7, z. Haxhiu pretendoi se ka identifikuar zërin tim në përgjime të bisedave me terroristin Milan Radojçiq. Sipas tij, ai ishte “i sigurt” që kishte dëgjuar zërin tim, e megjithatë, deklaroi se nuk e kishte publikuar këtë informacion për shkak të pamundësisë për ta konfirmuar. Më tej, në të njëjtën deklaratë, ai shprehë keqardhje që nuk i kishte ndjekur sugjerimet e redaksisë së tij për publikimin e përgjimeve të pretenduara”, thuhet në letrën që deputeti e ka publikuar në Facebook.
Duke i quajtur “të papërgjegjshme” këto deklarata, Muja thotë se “është e qartë që z. Haxhiu nuk ka arritur të sigurojë ndonjë konfirmim për vërtetësinë e përgjimit të pretenduar”, por se e ka përmendur emrin e tij dhe e ka implikuar atë qëllimshëm.
“Njëkohësisht, vetë ai njofton publikun se redaksia e tij sygjeron publikime të lajme të pakonfirmuara, çka e bën edhe më të rëndësishme dhe më të nevojshme ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse. Në një kohë kur shpifja dhe dezinformimi janë bërë dukuri të përditshme në diskursin publik, është obligim i secilit prej nesh të kontribuojmë në ndalimin e këtyre dukurive që dëmtojnë jo vetëm personat individualë, por edhe vetë integritetin e institucioneve tona demokratike. Si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, kam zgjedhur t’i drejtohem publikisht organeve të rendit me një thirrje të qartë: të hetojnë me seriozitet të plotë këtë deklaratë të Haxhiut”, shkruan Muja.
Kjo, sipas tij është “një shembull tjetër i përpjekjeve për të diskredituar figura publike”. Ngjashëm, ai thotë se po i bëhet koleges së tij, deputetes Mimoza Kusari-Lila.
“Këto përpjekje për të dëmtuar integritetin e përfaqësuesve të zgjedhur duhet të marrin fund”, thoë Muja.
“E falënderoj çdo zyrtar shtetëror përgjegjës që i përvishet kësaj pune me tërë kapacitetin profesional, për interesin publik në radhë të parë. Ndërkohë, unë natyrisht se do të vazhdoj ta bëj atë që është e pashmangshme, e pritshme dhe e domosdoshme – ushtrimin e padisë civile për shpifje ndaj Baton Haxhiut, gënjeshtrat e të cilit do ti ballafaqoj me të vërtetën në gjykatë”, shkruan deputeti i LVV-së.
Të tjera
Komshiq pret Kurtin në Presidencë: Nuk do ta pyesim Dodikun, as këdo tjetër me kë të takohemi
“Edi Rama është urdhërdhënësi i këtij ndalimi” – Pse u ndalua kënga “Mora Fjalë” në stadiumet shqiptare?
Të arrestuarit nga Gjykata Speciale dërgohen në Hagë