Arrestime, konfiskim i armatimit, reagime ndërkombëtare, akuza ndaj Serbisë – Krejt çka dihet për sulmin në Veri

Tetë (8) persona të arrestuar, arsenal i armëve dhe municionit, eksplozivit, uniforma e pajisje të ndryshme ushtarake janë konfiskuar, reagime të ashpra ndërkombëtare për ta dënuar aktin, forca të shumta policore në Veri, ujë i papijshëm si rezultat i kësaj ngjarje, dhjetëra lajme ndërkombëtare, një situatë e tensionuar, akuza e kundër akuza mes Kosovës dhe Serbisë, është përmbledhja e situatës së krijuar pas shpërthimit në Zubin Potok.

Më 29 nëntor, rreth orë 19:00, një shpërthim i fuqishëm në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj, ndonëse dëmi u sanua deri në një masë, Kosova akuzoi Serbinë për sulm në infrastrukturën kritike të vendit, ndërkohë Serbia mohoi se ka gisht në këtë sulm, derisa bashkësia ndërkombëtare e dënoi në termat më ashpër duke kërkuar që autorët të sillen para drejtësisë.

Nga shpërthimi s’pati viktima, megjithatë dëmi material, sipas autoriteteve të Kosovës, ishte i madh, meqë ishte goditur infrastruktura kritike e Kosovës dhe një pjesë e vendit rrezikohej të mbetej pa ujë dhe energji elektrike.

Dëmi u sanua deri në një masë, falë punës së institucioneve relevante, megjithatë nuk u mënjanua tërësisht reduktimet e ujit në disa qytete të vendit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti – si asnjëherë më parë – fillimisht mbajti një konferencë të jashtëzakonshme për media pak para mesnate duke njoftuar opinionin se sulmi “i rëndë kriminal, terrorist e dashakeq” gjenezën e ka në Serbi.

Pas konfrencës, ai u takua me komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani, me të cilin bisedoi për bashkëpunim dhe bashkërendim “në garantimin e sigurisë së infrastrukturës kritike dhe sigurisë në vend”.

Me të përfunduar takimin, Kurti në orët e hershme të ditës së shtunë, udhëhoqi edhe Këshillin e Sigurisë së Kosovës, i cili aprovoi masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale, si dhe aktivizoi Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës në terren.

Policia e Kosovës ndërkohë me të zbardhur dita organizoi aksion në Veri duke kryer bastisje në disa shtëpi në fshatrat Varagë dhe Uglarë të Komunës së Zubin Potokut.

Me të zbardhur e shtuna e 30 nëntorit, Kryeministri Kurti, mori rrugën për në Varagë, ku pa nga afër gjendjen që u krijua pas shpërthimit.

Në një prononcim për media nga vendi i ngjarjes, Kurti akuzoi përsëri Serbinë për këtë sulm, derisa vlerësoi se nuk është e rastësishme heshtja e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për këtë rast.

“Nuk është e rastësishme që ata po presin sa është dëmi, sa na kanë destabilizuar në mënyrë që të shohin se çfarë episodesh të tjera të organizojnë”, alarmoi shefi i ekzekutivit duke kujtuar se ky nuk është sulmi i parë, por është sulmi i tretë brenda 72 orëve në Veri.

Përveç kësaj, Kurti njoftoi se Policia e Kosovës po zhvillon hetime për ta zbardhur rastin, duke kryer bastisje në disa lokacione.

Ai bëri të ditur gjithashtu se lidhur me rastin ka edhe arrestime dhe se janë gjetur dëshmi e prova materiale.

“Të gjithë këta kriminelë e terroristë do të përballen me drejtësinë”, deklaroi ai.

Nga ana tjetër, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka pretenduar se Beogradi zyrtar nuk ka gisht në sulmin e mbrëmshëm në Zubin Potok.

“Serbia mohon pa mëdyshje çdo përfshirje në sulmin e fundit në kanalin Ibër-Lepenc. Akuzat e pabaza të ngritura ndaj Serbisë, të bëra me nxitim dhe pa asnjë provë mbështetëse, janë thellësisht të papërgjegjshme dhe shqetësuese”, ka shkruar Vuçiç në platformën sociale, Facebook.

Pretendime të tilla, në vlerësimin e tij, “të pabaza”, derisa vet pretendon se “kanë për qëllim të dëmtojnë reputacionin e Serbisë, si dhe të minojnë përpjekjet për të promovuar paqen dhe stabilitetin në rajon”.

Në të njëjtën linjë ishin edhe vartësit e tij: Ministri i Punëve të Jashtme, Marko Gjuriç dhe Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.

Duke mos marrë përgjegjësi për sulmin, Gjuriç, nëpërmjet një postimi në platformën sociale, X, ka kritikuar kryeministrin Kurti, se po bën “diversion të qëllimshëm”.

Gjuriç, ndër të tjera ka potencuar se Serbia “dënon në termat më të ashpër të mundshëm sulmin e fundit në kanalin Ibër-Lepenc”, duke bërë thirrje që të mos ketë “provokime” dhe t’i jepet përparësi dialogut.

Në ora 17:30, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, mbajtën një konferencë për media nga Veriu, ku treguan detaje për aksionin e policisë pas këtij sulmi.

Sveçla, i cili bëri përgjegjëse drejtpërdrejt Serbinë për këtë ngjarje, njoftoi se janë arrestuar tetë (8) persona në lidhje me sulmin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit dhe se është konfiskuar një arsenal i armëve e pajisjeve ushtarake.

“Në 10 lokacione në Veri janë realizuar kontrolle, me ç’rast janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore 8 persona të dyshuar mbi dyshimin për përfshirje në veprime kriminale dhe terroriste”, tha Sveçla.

“Kontrolli i realizuar i realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë dhe Agjencinë Kosovare të Inteligjencës ka rezultuar me konfiskimin e një arsenali të armëve dhe municionit, eksplozivit, pajisjeve të ndryshme, përfshirë emblema e qindra uniforma e pajisje ushtarake të cilat do të shërbejnë si dëshmi relevante që ndërlidhen me akte kriminale”, shtoi.

Sa i përket armatimit të konfiskuar, kreu i MPB-së tha se e ka adresën e njëjtë si ai që është konfiskuar pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit (24 shtator, 2023), Serbinë.

Para kësaj, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte takuar komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor, Enrico Barduani, me të cilin ka diskutuar për sulmin në Zubin Potok, të cilin e ka quajtur terrorist, derisa e ka konsideruar si dëshmi e qëllimeve destabilizuese të Serbisë.

Osmani ka takuar edhe ambasadorët e QUINT-it, të cilëve u ka kërkuar që ta dënojnë këtë sulm terrorist dhe të qëndrojnë të bashkuar kundër çdo përpjekjeje për të minuar paqen dhe sigurinë në Kosovë.

Reagim të ashpër për këtë sulm pati edhe nga Bashkimi Evropian. Unioni e ka cilësuar si akt terrorist e sabotim i neveritshëm i infrastrukturës kritike të Kosovë.

“Bashkimi Evropian e dënon ashpër sulmin terrorist të kryer të premten mbi kanalin e ujit Ibër Lepenc në Zubin Potok, në veri të Kosovës”, thuhet në reagim, duke theksuar se ky akt përshkruhet si “një sabotim i turpshëm ndaj infrastrukturës civile kritike të Kosovës”, e cila furnizon një pjesë të madhe të popullsisë me ujë të pijshëm dhe luan një rol të rëndësishëm në sistemin energjetik të Kosovës.

Këtë ngjarje e dënoi edhe i Dërguari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, duke kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Në këtë linjë ishin edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ajo e Francës, e Italisë, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe.

Dënim pati edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë, e cila tha se “shpresojmë që autorët e sulmit të identifikohen dhe të dalin para drejtësisë sa më shpejt të jetë e mundur”, derisa shperhu gatishmërinë e shtetit turk për të ofruar çdo ndihmë që Kosova mund të ketë nevojë.

Sulmi terrorist u dënua edhe nga partitë opozitare parmalemtare në vend: Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Nga PDK, përmes kryetarit Memli Krasniqi, kanë thënë se ky sulm kërkon hetim, zbulim dhe dënim maksimal të të gjithë të përfshirëve në të, derisa ka kërkuar shtim të presionit ndaj Serbisë.

Një qasje më ndryshe e pati Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Përderisa dënoi sulmin, ai tha se Kurti “po provon ta devijojë situatën në Veri”, derisa konsideroi se “është më serioze sesa një luftë hibride”, duke iu kundërpërgjigjur kreut të ekzekutivit, i cili në konferencë për media të premten akuzoi disa mediume e analistë për dezinformim.

E LDK-ja i konsideroi si akte terroriste të papranueshme ngjarjet e fundit në Veri, dhe vlerësoi se të njëjtat përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë e vendit.

Si pasojë e këtij sulmi, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se uji që kalon nëpër kanalin e Ibër-Lepencit është i papijshëm.

Nga ana tjetër, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka bërë të ditur se furnizimi me energjinë elektrike në të gjithë vendin është stabil, edhe pas shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit nga i cili ftohen termocentralet A dhe B.