Artane Rizvanolli flet për kërkesën e rritjes së tarifave të energjisë elektrike

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka reaguar lidhur me kërkesën e KESCO-s, e cila ka bërë kërkesë tek Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) për rritjen e tarifave për 21 për qind.

Rizvanolli është deklaruar se ende nuk ka vendim për rritjen e tarifave të energjisë elektrike, duke theksuar se lajmet e publikuara lidhen vetëm me kërkesën e furnizuesit dhe operatorëve, e jo me një vendim të marrë.

Ajo tha se vendimi eventual do të merret vetëm pasi ZRRE të publikojë raportin konsultativ, ndërsa do të analizojë atë dhe do të japë komentet e saj, ashtu si çdo vit.

Nuk ka vendim ende për shtrenjtimin e rrymës, theksoi Rizvanolli

Rizvanolli foli edhe për rritjen e importit të energjisë, duke e cilësuar atë si pasojë të zhvillimeve objektive në sektorin energjetik, veçanërisht investimeve në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Sipas saj, në KEK kanë filluar investime serioze në modernizim dhe rehabilitim, të parat pas 40 vitesh, çka ka bërë që blloqet të ndalen për disa muaj.

“Ne si çdo vit do të analizojmë, do të japim komentet tona për tarifat”

Sa i përket kërkesës dhe vendimit eventual, ose sa i përket çmimit të tarifave të energjisë elektrike, do të shohim raportin konsultativ kur ZRRE do të publikojë atë, në këtë fazë nuk mund të themi asgjë,. ZRRE i vlerëson këto shpenzime që ata konsiderojnë që janë të arsyeshme”, ka thënë Rizvanolli.

Ndërsa, një grup aktivistësh/esh, Kolektivi Feminist dhe Përpjekja, kanë bërë thirrje për protestë kundër paralajmërimeve për rritje të çmimit të energjisë elektrike, raporton KosovaPress.

Sipas njoftimit, protesta do të mbahet këtë të premte, duke nisur nga ora 13:00 pranë ndërtesës së KEDS-it, për të vazhduar më pas drejt Qeverisë së Kosovës.

KESCO ka bërë kërkesë tek Zyra e Rregullatorit për Energji për rritjen e tarifave për 21 për qind. ZRRE, është në proces të shqyrtimit të këtij aplikacioni.