Asnjë veprim e vendim për krijim të Qeverisë së re, Kushtetuesja vepron para mbledhjes së VV-së dhe analizës së ekipit të Osmanit

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka nxjerrë sot vendim për masë të përkohshme, pas ankesës së partisë “Lista Serbe” rreth procesit të ndodhur në Kuvend për zgjedhjen e nënkryetarëve nga komunitetet.

Kushtetuesja ka marrë masë të përkohshme deri me datën 30 shtator që ndalon çfarëdo veprimi dhe vendimi tutje për krijimin e Qeverisë së re, meqë evitohet rreziku i shkaktimit të dëmeve të pariparueshme nga çfarëdo vendimi për themelimin e institucioneve dhe nxjerrjen e vendimeve në kundërshtim me Kushtetutën.

“Në kontekstin e lartcekur, Gjykata vlerëson se ndalimi i të gjitha vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit, dhe çdo procedurë e mëtejme për formimin e Qeverisë, mund të “evito[jë] rreziqe apo dëme të pariparueshme” që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërore dhe nxjerrjen e vendimeve në kundërshtim me Kushtetutën. Për më tepër, Gjykata vlerëson se, në kuptim të përcaktimeve të nenit 27 të Ligjit, ekzistojnë rrethana të “interesit publik” e që përfshijnë ruajtjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet në pikën 53 të Kushtetueses, raporton Express.

Gjykata Kushtetuese në pikën 54 të aktgjymimit vlerëson se kërkesa e parashtruesve të kërkesës për masë të përkohshme duhet të miratohet, sepse i shërben “evitimit të rreziqeve ose dëmeve të pariparueshme” dhe është në “interes publik”.

Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese për pezullim të veprimeve e vendimeve, vjen pasi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, në seancën e fundit kishte konstatuar se Kuvendi i Kosovës është konstituuar.

Lëvizja Vetëvendosje gjatë kësaj jave kishte paralajmëruar se të dielën më 7 shtator, do të mblidheshin në Këshill të Përgjithshëm të partisë për ta konfirmuar Albin Kurtin si mandatar dhe për ta çuar emrin e tij tek presidentja Vjosa Osmani.

Ndërkohë vetë Osmani kur ishte pyetur rreth pretendimeve të Kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, se Kuvendi është konstituuar, kishte thënë se ekipi i saj ligjor po analizon seancat e Kuvendit./GazetaExpress/