AUV konstaton shkelje në fabrikën e qumështit “Vita” në Istog, priten rezultatet laboratorike

AUV konstaton shkelje në fabrikën e qumështit “Vita” në Istog, priten rezultatet laboratorike

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se komisioni inspektues ka konstatuar shkelje të vendimit të Ministrisë së Bujqësisë në fabrikën e përpunimit të qumështit “Vita” në Istog.

Sipas AUV-së, vendimi në fuqi ndalon përdorimin e qumështit pluhur, vajit të palmës, hirrës dhe përbërësve të tjerë në produktet e qumështit, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të konfirmohen pas analizave laboratorike.

Shefi i Inspektoratit Veterinar Kufitar në AUV, Eroll Shehu, ka deklaruar se inspektimi është kryer më 2 korrik në bashkëpunim me njësitë e tjera inspektuese dhe se procesi është zhvilluar në mënyrë transparente.

Ai ka theksuar se janë përdorur edhe masa monitorimi gjatë kontrollit, ndërsa aktualisht priten rezultatet zyrtare nga laboratori për të përcaktuar hapat e mëtejmë.

“Së pari, në bazë të kontrolleve gjatë datës 2 korrik në subjektin, ose fabrikën e përpunimit të qumështit ‘Vita’ në Istog, është bërë procesi i inspektimit të përbashkët me njësitë tjera inspektuese në subjekt. Inspektimi është bërë sipas kërkesës së vendimit të ministrit, i cili është zbatuar gjatë ditës, domethënë gjatë orarit. Sa i përket ciklit të inspektimit, inspektimi ka shkuar gjithmonë shumë transparent. Këtë herë të gjithë kohën i kemi pasur kamerat rreth vetes dhe tani jemi në proces të pritjes së rezultateve nga laboratori”, ka deklaruar Shehu.