Nga 9 shkurti i këtij viti, përveç përqindjes së votave që morën partitë, nuk u prodhua edhe ndonjë rezultat tjetër, në kuptimin e krijimit të institucioneve. Porsa u shpallën rezultatet përfundimtare, filluan edhe përgatitjet për krijimin e tyre, por nuk u bë shumë. Tash që jemi në fund të gushtit, qytetarët kanë parë vetëm ngërç politik. Vetëvendosje sot e shpalli të kryer konstituimin e Kuvendit, partitë konstatuan shkelje të re, shkruan Gazeta Express.
Nuk dihet megjithatë nëse Gjykata Kushtetuese do të pranojë ta trajtojë ankesën e Listës Srpska e cila të shtunën njoftoi se ka dërguar rast me synimin për ta kontestuar procedurën e votimit për nënkryetarin serb të udhëhequr nga Kryeparlamentari Dimal Basha.
Kushtetuesja u përfshi disa herë në bllokadën politike në vend pasi disa herë i shkuan pyetje apo kërkesa për sqarim situate.
Sebepi ishte kontesti i VV’së me rivalët për procedurat.
Partia e Kurtit përgjatë kësaj kohe me plot bindje e siguri ka insistuar në disa prej veprimeve në Parlament.
Kushtetuesja e i ka hedhur poshtë me aktgjykimet e saj çështjen e kandidatit për kryeparlamentar, dhe, mënyra e votimit për zgjedhjen e tij.
Gjatë dhjetëra mbledhjeve të deputetëve në kuvend, VV-ja deri në seancat e fundit, pati për propozim emrin e Albulena Haxhiut.
Edhe pse bëhej thirrje për ndërrim të kandidatit, në emër të konsensusit, VV-ja s’dëgjoi asnjëherë, derisa u detyrua.
Detyrimi u bë me aktgjykimin e Kushtetueses ku u tha se një kandidat mund të propozohej, rrjedhimisht të votohej, për kryetar vetëm deri në tri herë. Pas këtij aktgjykimi, VV-ja propozoi vetëm edhe njëherë Haxhiun, e cila dështoi.
Insistimi i dytë siç ishte mënyra e votimit. VV-ja kërkonte votim të fshehur, partitë e tjera të hapur. Edhe këtu partia më e madhe s’reflektonte. Përsëri, derisa u detyrua. Dhe sërish, detyrimi erdhi nga Kushtetuesja.
Gjykata vendosi që votimi për kryetar të bëhet në mënyrë të hapur, për dallim nga ajo çfarë kërkonte VV-ja. Kësisoj edhe u bë.
Ky insistimi i fundit lidhet në një forme edhe me të tretin. E ku kryefjala është Avni Dehari, ai që udhëhoqi seancat për disa muaj. Dehari u kritikua nga shumëkush për disa gjëra, një prej tyre ishte ndërprerja siç thuhej arbitrare e seancave.
Edhe për të, Kushtetuesja nxori përgjigje. Në të, u tha se Dehari ka shkelur Kushtetutën duke shkelur aktgjykimin e 26 qershorit, e që ishte aktgjykimi paraprak, para këtij të fundit të gushtit.
E në këtë mes insistimesh, Kushtetueses i ka dal edhe një punë. Kjo pasi që Lista Serbe i është drejtuar asaj lidhur me ngërçin e ri të krijuar në Kuvend, ku ende s’është zgjedhur nënkryetari i ri nga radhët e këtij komuniteti.
Në anën tjetër, si në rastet tjera, VV shprehur e bindur në insistimin e saj se kryetari i ri, Dimal Basha, ka të drejtë që procesin e zgjedhjes së këtij nënkryetari e ka bërë me short e jo në pako.
Por a do të dalë edhe ky insistim i VV-së si ato të tjerat, huqje, duhet të pritet aktgjykimi i Kushtetueses.
Përveç kësaj, kryeparlamentari Basha, sot ka bërë edhe një veprim tjetër që po ashtu po vlerësohet si i gabuar. I njëjti sot ka shpallur të mbyllur konstituimin e Kuvendit, edhe pse s’u zgjodh nënkryetari nga komuniteti jo shumicë serb.
Edhe për këtë reaguan njohës të ndryshëm të zhvillimeve politike të cilët hodhën poshtë veprimin e Bashës duke thënë se seanca konstituive nuk mund të konsiderohet e përmbyllur pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve.
Ndryshe Basha ka thirrur një mbledhje të kryesisë për të hënën, porse për të njëjtën partitë e tjera si LDK e PDK, kanë deklaruar tashmë se s’do të marrin pjesë.



Të tjera
Parandalohet kontrabanda me 656 cigare elektronike në Kamenicë
Spanja i’a sheh sherrin fitores ndaj Uruguait, lëndohen dy futbollistë
Mënyra të thjeshta për ta trajtuar kolesterolin e keq