Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka reaguar ndaj raportimeve dhe deklaratave që lidhen me gjendjen e autostradës “Ibrahim Rugova” dhe aksidentin tragjik të ndodhur gjatë fundjavës, përcjell KosovaPost.
Përmes një postimi në Facebook, Basha ka bërë të ditur se ministria ka nënshkruar kontrata për sanimin e plotë të skarpatave në tri segmente të autostradës, duke mohuar pretendimet se bëhet fjalë vetëm për largimin e dheut.
“Sot ministria ka njoftuar se janë nënshkruar kontrata për sanimin e plotë të skarpatave në autostradën ‘Ibrahim Rugova’. Pra nuk bëhet fjalë për ‘heqje dheu’, siç po manipulohet, por për projekte të plota të sanimit në tri segmente të autostradës”, ka shkruar ai.
Basha ka reaguar edhe ndaj lidhjes së aksidentit tragjik me gjendjen e autostradës, duke theksuar se në momentin e ngjarjes rruga kishte qenë e pastruar nga dheu.
Ai tha se institucionet janë në pritje të raportit zyrtar të Policisë së Kosovës dhe se nuk do të bëhen pjesë e, siç i quajti ai, “manipulimeve politike” që synojnë të përfitojnë nga tragjeditë njerëzore.
Ministri u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimës së aksidentit, ndërsa ka kritikuar kundërshtarët politikë për përpjekje, sipas tij, për ta shfrytëzuar rastin për qëllime politike.
“Familjes së të ndjerës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Na vjen keq që, përveç dhimbjes që ka shkaktuar ky aksident, po tentohet të nxirren përfitime politike nga kjo tragjedi”, ka deklaruar Basha.



Të tjera
Zyrtare: Tunizia e shkarkon trajnerin, vetëm pas një ndeshje në Botëror
Gjykata Supreme pezullon gradimet në Policinë e Kosovës
UEFA e gjobit me 200 mijë euro Ballkanin, në rrezik edhe garat evropiane