Njohësi i çështjeve të sigurisë, Korab Blakaj, ka reaguar pas deklaratës skandaloze të Branislav Krstiq, të cilin e cilëson si një “opozitar të rremë” të Listës Serbe dhe një figurë të fabrikuar që shërben si instrument i strategjisë hibride të Serbisë në Kosovë.
Branislav Kërstiq ka thënë se rreshteri policor Afrim Bunjaku “nuk është vrarë” në sulmin terrorist të grupit me në krye të kërkuarin nga Interpoli Milan Radoiçiq, në Banjska më 24 shtator 2023.
Gazetari serb ka thënë në një emision të Klan Kosova, se Afrim Bunjaku “nuk është vrarë, por është në një mënyrë dëm kolateral”.
Në një analizë të gjatë metodologjike, Blakaj e përshkruan këtë dukuri si pjesë të një doktrine të rrezikshme për infiltrimin dhe manipulimin e opinionit publik.
“Në skenën politike të Kosovës, “opozitari i rremë” i Listës Serbe është një figurinë e fabrikuar, një kukull që shfaqet si alternativë, por që funksionon si zgjatim i strategjisë hibride të Serbisë për ta ruajtur kontrollin total mbi serbët dhe mbi veriun e vendit dhe për të krijuar iluzionin e demokracisë serbe brenda Republikës së Kosovës.Kjo metodë është pjesë përbërëse e doktrinës serbe për “zgjatjen e ndikimit përmes agjentëve të kontrolluar”, strategji hibride kjo ku armiku simulohet si kritik i regjimit, ndërsa në fakt është mjet për të mashtruar opinionin vendor dhe ndërkombëtar”, ka shkruar Blakaj.
Sipas tij, “Opozitari i rremë” në përkufizimin operativ është një individ ose grup që simulon kundërshtim ndaj strukturës dominante (Lista Serbe), por që në fakt është i kontrolluar, i toleruar apo i menaxhuar nga po ajo strukturë për interesa strategjike.
Edhe Agim Musliu nga Instituti Octopus, thotë se ndryshe nga ajo që Branislav Krstiq pretendon, oficeri i policisë së Kosovës Afrim Bunjaku u vra me dashje nga një grup paraushtarak i mbështetur nga Serbia.
“Qëllimi ishte përhapja e kaosit, dobësimi i policisë së Kosovës dhe avancimi i objektivave politike për Serbinë dhe Listës Serbe”, ka shkruar Musliu në rrjetin X.
Sulmi në Banjska ndodhi pas disa muajsh tensione të larta midis Kosovës dhe Serbisë.
Më 24 shtator, grupe të armatosura sulmuan policinë e Kosovës në Banjskë të komunës së Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
“Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare e logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë”, pati deklaruar kryeministri Albin Kurti, në adresimin para mediave asokohe duke akuzuar Serbinë se qëndron prapa sulmit.
Gjatë disa muaj hetimesh e bastisjesh janë gjetur dhe konfiskuar sasi të mëdha armatimi nga granatahedhësit deri tek eksplozivët me të cilët ishte pajisur grupi terrorist.
Milan Radoiçiq pranoi përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur në Banjskë, por ai vazhdon të qëndrojë i lirë në Serbi edhe pse ndodhet në listën e të kërkuarve nga Interpoli.
Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë kundër Radoiçiq dhe 44 personave të tjerë për sulmin terrorist në Banjskë. Sipas aktakuzës, grupi i Banjskës, tentuan të shkëpusin veriun e Kosovës dhe t’ia bashkojnë Serbisë.
Deri më tash vetëm ndaj Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq ka nisur procesi gjyqësor, pasi të tjerët ndodhen në arrati.
Të tjera
Rama dhe Macron inaugurojnë shkollën franceze të kodimit “Ecole 42”
Deputeti ngjitet në çatinë e Parlamentit për të kryer ve*tëvrasje
FSK në fazën e fundit të tranzicionit, në fokus armatimi i rëndë dhe flota e helikopterëve