BQK organizon Punëtorinë për edukimin financiar dhe komunikimin digjital

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) në bashkëpunim me Bankën Botërore, organizoi Punëtorinë për Edukimin Financiar dhe Komunikimin Digjital, si vazhdim i aktiviteteve në kuadër të Këshillit Kombëtar të Pagesave dhe diskutimeve rreth lidhjes me anëtarësimin në Zonën e Pagesave në Euro (SEPA).

Qëllimi i punëtorisë ishte ngritja e kapaciteteve dhe ndarja e përvojave, krahas rëndësisë së edukimit financiar dhe komunikimit efektiv digjital si shtylla thelbësore për aspektet e stabilitetit financiar, fuqizimin e konsumatorëve, mirëqenie dhe zhvillim ekonomik.

Punëtoria u hap me fjalë përshëndetëse nga Guvernatori i BQK-së, z. Ahmet Ismaili, i cili theksoi përkushtimin e institucionit për të fuqizuar qytetarët me edukim financiar dhe komunikimin publik, duke potencuar se kjo përbën bazë për qëndrueshmëri financiare dhe mirëqenie afatgjatë. Gjithashtu një fjalë rasti mbajti drejtori për Kosovë i Bankës Botërore, z. Massimiliano Paolucci, i cili vlerësoi lart bashkëpunimin dhe avancimin e sektorit financiar.

“U theksua se gjatë viteve të fundit, BQK ka intensifikuar ndjeshëm aktivitetet në fushën e edukimit financiar dhe komunikimit me publikun, përfshirë:

Fushatat informuese për qytetarët; dhe

Zhvillimi i mjeteve digjitale dhe përmbajtjeve vizuale për edukim publik.

Gjithashtu, është rritur prezenca në rrjetet sociale dhe platformat digjitale me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit financiar sidomos te brezat e rinj.

Me anë të këtyre takimeve dhe punëtorive, BQK riafirmon angazhimin e saj për të promovuar gjithëpërfshirjen financiare, transparencën dhe komunikim të hapur me publikun në përputhje me Planin Strategjik dhe praktikat më të mira ndërkombëtare’, thuhet në njoftimin e BQK-së.