Në selinë e NATO-s në Bruksel po zhvillohet ministeriali i ministrave të Mbrojtjes së vendeve anëtare, një takim që vjen në një moment të rëndësishëm për Aleancën, mes përpjekjeve për rritjen e kapaciteteve ushtarake, modernizimin e industrisë së mbrojtjes dhe përgatitjet për samitin e ardhshëm të NATO-s në Ankara.
Në këtë takim merr pjesë edhe Shqipëria, e përfaqësuar nga ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, duke u bërë pjesë e diskutimeve kryesore mbi sigurinë dhe zhvillimet strategjike të Aleancës.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka theksuar se vendet anëtare do të fokusohen në ndërtimin e një Evrope më të fortë brenda një NATO-je më të fuqishme, duke nënvizuar nevojën për më shumë forca ushtarake, rritje të investimeve dhe forcim të bazës industriale të mbrojtjes. Sipas tij, vendet evropiane dhe Kanadaja kanë rritur ndjeshëm shpenzimet e mbrojtjes gjatë vitit 2025, duke reflektuar një rritje të konsiderueshme të angazhimeve financiare brenda Aleancës.
Në agjendën e takimit përfshihen edhe diskutimet e Grupit të Planifikimit Bërthamor, përgatitjet për samitin e ardhshëm të Aleancës, si dhe mbledhjet e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, i cili bashkëdrejtohet nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.
Një nga temat kryesore mbetet zbatimi i objektivit të ri të NATO-s për investimin deri në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në mbrojtje dhe siguri deri në vitin 2035, i miratuar në Samiti i Hagës, ku 3.5% e PBB-së parashikohet për kapacitetet ushtarake bazë dhe 1.5% për infrastrukturën kritike, sigurinë kibernetike dhe industrinë e mbrojtjes.



Të tjera
Cafu zgjedh katër futbollistët më të mëdhenj në histori: Ata përfaqësojnë artin e futbollit
Haxhiu: Dhuna seksuale gjatë luftës, krim i rëndë
Kurti falënderon qytetarët për mbështetjen: Vetëvendosje mbetet forca e parë me 53 deputetë