Cakolli: Devijimi nga procedurat në Kuvend është kapje e procesit

Eugen Cakolli nga KDI ka kritikuar mënyrën se si po menaxhohet seanca konstituive e Kuvendit, duke e quajtur “kapje të procesit” tentativën për ta shtyrë me vendime të njëanshme.

Sipas tij, kur dështon kalimi në votim të fshehtë, duhet të kalohet në votim publik si rregull. Çdo shmangie nga ky parim, sidomos nga një kryesues i përkohshëm, është abuzim procedural që cenon funksionimin demokratik të Kuvendit.

Ai shtoi se e drejta e LVV-së për të propozuar kryetarin është e padiskutueshme, por edhe detyrim kushtetues që nuk mund të zvarritet pafund.

Postimi i plotë:

Kjo është tashmë kapje e procesit.

Sepse, seanca nuk mund të pezullohet në mënyrë të njëanshme nga një rol me mandat të kufizuar procedural, e aq më pak kur tashmë është devijuar nga rendi i ditës. Kryesuesi nuk është as vendimmarrës politik, as negociator, por ka vetëm detyrën ta përmbyllë konstituimin.

E drejta e LVV-së për të propozuar është e padiskutueshme, por detyrimi për ta bërë këtë formalisht është po aq obligim kushtetues.

Çdo shmangie dhe instrumentalizim i procedurës për të zvarritur procesin është abuzim procedural që cenon funksionimin demokratik të Kuvendit.