Zëvendësndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof ka qëndruar të enjten për vizitë në Kosovë, ndërsa është takuar me presidenten e shtetit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Sipas njoftimit të Presidencës, në takim u diskutua për forcimin e mëtejshëm të aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë për t’i përmbushur synimet e përbashkëta strategjike.
“Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj të thellë për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-ve ndaj Kosovës, duke shtruar nevojën e dialogut strategjik me SHBA-në, si një hap i rëndësishëm në fuqizimin e partneritetit, kërkesë kjo që ka vite që është përcjellë nga Presidentja Osmani”, ka njoftuar tutje Zyra e Presidentes.
Në këtë kontekst, presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke potencuar se një Kosovë e integruar në Aleancën Veri-Atlantike forcon sigurinë e vendit, por kontribuon edhe në stabilitetin e rajonit.
Në takimin me Kasanof, presidentja Osmani diskutoi edhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë, siç është fusha e mbrojtjes dhe sigurisë.
Me Zëvendësndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor është takuar edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.
Në njoftimin e Kryeministrisë thuhet se Kurti shprehu vlerësimin e lartë për marrëdhëniet e fuqishme bilaterale mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kontributit të tyre në çlirimin, pavarësimin dhe zhvillimin e shtetit tonë.
Gjatë takimit me Kasanof Kurti tha se “me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndajmë vlera dhe qëllime të përbashkëta, si miq, aleatë e partnerë, e cila reflektohet edhe nga dëshira e perceptimi edhe i vetë qytetarëve të vendit tonë”.
Kryeministri falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, energjisë, sigurisë e më gjerë. Theksoi edhe progresin demokratik, ekonomik e shoqëror që ka njohur vendi ynë përgjatë këtij mandati qeverisës, me ç’rast veçoi edhe rëndësinë e sigurisë dhe të sundimit të ligjit.
Kurti theksoi edhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit rajonal në pritje edhe të samitit të Procesit të Berlinit të hënën e ardhshme, ku trajtoi nevojën e zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës, e cila i kontribuon qytetarëve të dy vendeve.
Duke folur për marrëdhëniet bilaterale, kryeministri Kurti trajtoi mundësitë e bashkëpunimit edhe me emisarin e ri Alexander Kasanof si dhe partnerët tanë evropianë pas zgjedhjeve të mbajtura dhe komisionerëve të rinj.
Ai shtoi dhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe bashkëpunimin e dyanshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë drejtim.
Përgjatë takimit u trajtua dhe dialogu me Serbinë, ku kryeministri u tha se shprehu konstruktivitetin e Kosovës në proces dhe nevojën për zbatimin e plotë dhe sa më parë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit.
Kasanof po e viziton Kosovën për herë të parë si i dërguar amerikan për Ballkanin Perëndimor – pasi e pasoi Gabriel Escobarin – ku pritet të zhvillojë konsultime të rregullta me Kurtin dhe me zyrtarë të Qeverisë, liderë të opozitës, shoqërinë civile dhe bizneset.
Të tjera
Përmes Viberit po kërkohen para në emër të Policisë së Kosovës – një qytetar dërgon 1000 euro
Kandidimi im është vlerësuar si garancë e fitores në Mitrovicë
Aktivisti konservator Charlie Kirk vr*itet në Utah, Trump konfirmon lajmin