Çka pas konstituimit të Kuvendit?

Kuvendi i ri i Kosovës u konstituua më 10 tetor, tetë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.

Procesi u shoqërua me dhjetëra vazhdime të seancave konstituive, disa vendime të Gjykatës Kushtetuese dhe më shumë se një kandidaturë për postin e kryeparlamentarit.

Kryetari Dimal Basha dhe katër nënkryetarë u zgjodhën më 26 gusht, por konstituimi mbeti i paplotë, për shkak të mosvotimit të nënkryetarit nga komuniteti serb – një pozicion i përcaktuar me ligj.

Pas sqarimeve dhe kërkesave të bëra nga Gjykata Kushtetuese, të përfshira në aktgjykimin e publikuar më 8 tetor, Kuvendi u mblodh të premten dhe votoi Nenad Rashiqin për nënkryetar nga radhët e komunitetit serb, duke përmbyllur kështu zyrtarisht konstituimin e legjislaturës së re.

Ai mori 71 vota për, duke siguruar mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe disa deputetëve të komuniteteve joserbe.

Hapi i radhës është formimi i Qeverisë së re.

Presidentja Vjosa Osmani ka detyrë ligjore të emërojë partinë ose koalicionin fitues – në këtë rast koalicionin e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, bashkë me Lëvizjen Guxo dhe Alternativën, si mandatar për krijimin e Qeverisë.

“Kandidati për kryeministër, jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit”, thuhet në nenin 95 të Kushtetutës.

Me 48 ulëse të fituara në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje nuk mund ta sigurojë shumicën e nevojshme pa një partner koalicioni.

Në rast se nuk arrin të mbledhë 61 vota, presidentja Osmani ka detyrën brenda dhjetë ditësh të ftojë partitë për konsultime dhe të vendosë për mandatarin që ka shanset më të mëdha për të formuar Qeverinë.

Mandatari ka më pas 15 ditë të tjera kohë për të dorëzuar përbërjen e re të kabintetit qeveritar në Kuvend.

Përsa u përket koalicioneve, Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur preferencë për bashkëpunim me partitë e komuniteteve joshumicë, të cilat kanë dhjetë ulëse të garantuara në Kuvend.

Fillimisht, ajo ka përjashtuar mundësinë e bashkëqeverisjes me tri subjekte të tjera: Partinë Demokratike të Kosovës (24 ulëse), Lidhjen Demokratike të Kosovës (20 ulëse) dhe koalicionin Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës-Nisma (8 ulëse).

Megjithatë, më vonë, Vetëvendosje dhe Nisma janë mbledhur disa herë për të diskutuar mundësitë e daljes nga bllokada institucionale – ndonëse pa rezultat.

Bedri Hamza, kandidati për kryeministër i PDK-së, ka deklaruar më 28 mars se nëse LVV-ja nuk mund ta krijojë Qeverinë brenda afateve ligjore, PDK-ja është e gatshme të marrë përgjegjësinë për formimin e saj.

Ai ka thënë se nuk ka “vija të kuqe” ndaj asnjë partie dhe është i hapur për bisedime.

LDK-ja dhe AAK-ja kanë përjashtuar koalicionin me LVV-në dhe kanë shprehur gatishmëri për të formuar një qeveri së bashku.

Me tre deputetët e saj, Nisma, në anën tjetër, ka thënë se mund të ndihmojë në sigurimin e shumicës së nevojshme prej 61 votash, bashkë me LVV-në dhe partitë e komuniteteve joshumicë.

Konstituimi i Kuvendit bëhet vetëm dy ditë para se Kosova të mbajë zgjedhjet lokale më 12 tetor. / REL