Duke folur për dezinformimin gjatë periudhës së luftës, gjenerali Wesley Clark tha se ndërkobëtarët nuk dëshironin që për Masakrën e Reçakut të kryenin hetime njerëzit e Sllobodan Millosheviqit.
Clark tha se arsyeja e kësaj ka qenë se kishte rrezik që Millosheviq mund t’i tjetërsonte provat dhe ta krijonte situatën të dukej sikur ngjarja është kryer nga UÇK-ja, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Dëshmitari pohoi se në atëkohë, komuniteti ndërkombëtar donte që këtë rast ta hetonte Tribunali Penal për Ish-Jugosllavinë (TPNJ).
“Ideja kryesore ishte që Millosheviqi të mosdezinfomromnte më siç kishte bërë më herët dhe të mundohej që të manipulonte situatën”, tha dëshmitari.
Clark kishte thënë se gjatë luftës kishte dhënë vazhdimisht intervista dhe bënte deklarata duke e lavduar UÇK-në si një forcë e mirëorganizuar. Por, Clark kishte thënë se situata nuk ishte kështu. Tha se audienca e synuar e tij ishte Sllobodan Millosheviqi pasi e dinte se e dëgjonte.
“Audienca e synuar e komenteve të mia ishte Millosheviqi. E dija që ai me dëgjonte dhe dëshiroja që të projektoja këtë lloj force ndaj Millosheviqit në mënyrë që ai të nxitohej për sa i takon dorëzimit të tij”, kishte thënë Clark duke shtuar se deklaratat e tij nuk ishin vlerësime të NATO-s sa i përket kapaciteteve të UÇK-së.
Dëshmitari tha se është normale që të përdoren deklaratat politike në një situatë konflikti.



Të tjera
Në horizont algoritmi interesant për gjuhët e huaja
Tërnava mbikëqyr punimet për ndërtimin e Xhamisë Qendrore: Po ecin sipas planit
Eurodeputeti austriak kërkon heqjen urgjente të masave ndaj Kosovës: BE-ja nuk e sanksionoi Vuçiqin, por Kosovën