Clark: UÇK-ja synonte një Kosovë multietnike – jo përjashtim, por bashkëjetesë

Pas rinisjes së seancës gjyqësore, Clark u pyet nga avokati i Thaçit nëse kishte informacione se UÇK-ja synonte të shënjestronte pakicat, ai tha se nuk kishte informacione të tilla.

Sipas gjeneralit amerikan, nuk kishte ndonjë koordinim nga UÇK-ja për të shënjestruar serbët dhe se Thaçi nuk kishte motiv që të përfshihej në akte të tilla.

Ai tha se UÇK-ja kishte deklaruar se dëshironte një Kosovë multietnike, duke theksuar se besonte se ishte e sinqertë në këtë deklaratë.

Ai foli për situatën pas luftës dhe për aktet e dhunës. Clark tha se kishte një sërë faktorësh që kontribuan në dhunë, duke treguar se shqiptarët e kthyer ishin të mllefosur dhe të frikësuar.

“Kjo tregon se sa të forta ishin ndjenjat, sa të mllefosur dhe të frikësuar ishin. Është e vështirë t’iu thuhet qetësohuni”, tha Clark, duke shtuar se nuk kishte polici që ta merrte situatën nën kontroll. / REL