Të mërkurën në media është publikuar audioincizimi ku pretendohet se shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila, dakordësohet me Milan Radoiçiqin për pagën minimale dhe për të çuar një kandidat shqiptar në Gjykatë Kushtetuese.
Për këto përgjime, Mimoza Kusari- Lila ka thënë se janë të fabrikuara, gjersa ka akuzuar opozitën se po tentojnë ta linçojnë atë dhe t’ia humbin kredibilitetin qeverisë Kurti, derisa theksoi se s’ka pasur asnjë bisedë me Milan Radoijçiqin për pagën minimale në Kosovë.
Për këto biseda është pyetur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ai ka thënë se nuk e ka parë e dëgjuar, por vetëm se di të thotë që lufta hibride ndaj Qeverisë do të intensifikohet.
“Në këto momente nuk kam as si ta shoh e as si ta dëgjoj. Përshtypja ime është se tani do të intensifikohet lufta hibride kundër Republikës së Kosovës, në veçanti kundër Qeverisë tonë, kundër Grupit tonë Parlamentar, dhe kryetares së Grupit tonë Parlamentar, e kemi parë edhe në të kaluarën, dhe unë nuk pres shumëçka të re prej atyre të vjetërve të cilët natyrisht problemin më të madh e kanë që sikurse në këto tri vite e gjysmë që ka pasë sundim të ligjit, rend publik dhe integritet territorial nuk i gjeni asnjëherë në Kosovën e pasluftës”, ka thënë Kurti.
Në anën tjetër, analisti politik Skënder Zogaj, thotë se fillimi i para fushatave do të duhej të niste më qetë.
Sipas tij, pozita duhet të kritikohet për mos përmbushjen e premtimeve me fakte, por ka frikë se kjo nuk do të ndodhë.
“Në periudhat parazgjedhore siç ndodhet sot Kosova, fillimi i para fushatave do të duhej të niste më qetë dhe me konceptet e subjekteve për mënyrat e qeverisjes së vendit e jo me kalkulime. Në këtë plan mendoj se ka arsye të parashtrohen anët e pasuksesshme të pozitës, pra të kritikohet pozita për mos përmbushjen e premtimeve të saj, pa kursim, porse gjithnjë me fakte konkrete! Ka frikë sepse sa po shihet kjo nuk do të ndodh, sepse, që në nismë të hyrjes në para fushatë zgjedhore, po ndodh devijimi flagrant i esencës së demokracisë për zgjedhjeve e reja, sepse, tashmë sherrit iu ka hapur udha dhe pasojat mund të jenë të paevitueshme!”, shprehet Zogaj.
Me publikimin e bisedës mes Kusari- Lilës me terroristin Milan Radojiçiq, sipas Zogajt, është paralajmërim i keq i cunamit të keq, tepër të rrezikshëm që mund të godasë vullnetin e lirë të shtetasve të Kosovës.
“Plasja e sherrit me publikimin e pjesës së dytë të përgjimit të bisedës së zonjës Kusari me terroristin Milan Radoiçiq, është paralajmërim i keq i cunamin të keq, tepër të rrezikshëm, që mund të godas vullnetin e lirë të shtetasve të Kosovës! Po vlerësoj kështu sepse, po shihet se, pa kursim do të përdoren të gjitha format dhe mjetet deri në ekstremitet, jo për t’u treguar vlerat por për t’ia mjegulluar arsyen elektoratit”, thekson analisti.
Tutje, sipas Zogajt, pozita duhet të jetë më fleksibile dhe të shohë vetveten, ndërsa opozita të mos përpiqet të shfrytëzojë aferat si kjo e rastit Kusari.
“Rasti i Mimoza Kusarit nëse nuk zbardhet dhe mbyllet institucionalisht, do të reflektojë implikime të shoqërinë civile, dhe gjithçka do të këtë, por jo proces normal zgjedhor dhe kjo nënkupton se rezultatet do të jenë të pakëndshme për të gjitha partitë politike! Pozita është mirë të jetë më fleksibile dhe të shoh vetveten, ndërsa opozita të mos përpiqet të shfrytëzojë aferat si kjo e rastit Kusari, por të demonstrojë vlerat e veta programore, konkrete dhe të kapshme për shumicën e elektoratit, pra jo fjalë por projekte dëshmuese për qeverisje më të mirë! Raciobaliteti gjatë fushatës parazgjedhore jam i bindur se ka për të qenë arsyeja kryesore e fitimit të votës. Jo shfrytëzimi i djallëzive që na vijnë nga armiqtë si Millan Radoiçiqi e çiqiqët e ndryshëm!”, përfundon Zogaj.
Të tjera
Komshiq pret Kurtin në Presidencë: Nuk do ta pyesim Dodikun, as këdo tjetër me kë të takohemi
“Edi Rama është urdhërdhënësi i këtij ndalimi” – Pse u ndalua kënga “Mora Fjalë” në stadiumet shqiptare?
Të arrestuarit nga Gjykata Speciale dërgohen në Hagë