Një skandal i madh korrupsioni që dyshohet se ka funksionuar për vite me radhë në Qendrën për Patentë Shoferë në Pejë ka përfunduar me ngritjen e një aktakuze voluminoze nga Prokuroria Themelore në Pejë. Në bankën e të akuzuarve janë përfshirë 12 persona, të cilët dyshohen se përmes ryshfetit, manipulimeve dhe shkeljeve të ligjit u kanë mundësuar kandidatëve pajisjen e kundërligjshme me patentë-shoferë.
Sipas Prokurorisë, aktakuza prej 391 faqesh është ngritur nga Departamenti për Krime të Rënda dhe përfshin veprat penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, “Manipulim me prova”, “Legalizim i përmbajtjes së rreme” dhe “Dhënie ryshfeti”, transmeton Klankosova.tv.
Në qendër të rastit është i pandehuri A.Sh., i cili në cilësinë e Koordinatorit të Njësisë së Qendrës për Patentë Shoferë në Pejë dyshohet se, nga viti 2021 deri më 23 korrik 2024, ka organizuar dhe mundësuar mbajtjen e provimeve teorike në mënyrë të kundërligjshme. Sipas aktakuzës, kandidatëve u është lejuar testimi edhe kur nuk figuronin në listat zyrtare apo nuk kishin dokumentacion të plotë.
Prokuroria pretendon se në këtë skemë ka qenë i përfshirë edhe i pandehuri R.S., i cili dyshohet se ka ndërmjetësuar ryshfete nga përfaqësues të auto-shkollave në vlera prej 300 deri në 1 mijë euro, me qëllim të kalimit të kandidatëve në testet teorike dhe praktike.
Në aktakuzë përmendet edhe manipulimi me prova, ku A.Sh., T.Sh. dhe R.S. dyshohet se më 17 nëntor 2023 kanë vepruar në bashkëkryerje në zyrën e koordinatorit të Qendrës për Patentë Shoferë në Pejë.
E pandehura T.Sh., si pyetëse e pjesës teorike, akuzohet se u ka ndihmuar kandidatëve duke iu treguar përgjigjet e sakta gjatë testimit dhe duke lejuar hyrjen në provim edhe pa dokumentacion të kompletuar. Veprime të ngjashme, sipas Prokurorisë, dyshohet se janë kryer edhe nga M.Sh, transmeton Klankosova.tv.
Pjesë e hetimeve është edhe zyrtari administrativ L.G., i cili dyshohet se ka lejuar kandidatë të hyjnë në provime me dosje të pakompletuara dhe nuk ka regjistruar dhjetëra kandidatë në librat zyrtarë. Gjatë kontrollit, hetuesit kanë gjetur edhe dosje të mbajtura jashtë institucionit në mënyrë të kundërligjshme.
Ndërkohë, ekzaminuesit e pjesës praktike B.K. dhe N.D. akuzohen se kanë organizuar testime jashtë orarit zyrtar dhe në kundërshtim me procedurat administrative, duke mundësuar kalimin e kandidatëve pa plotësuar kriteret ligjore.
Sipas Prokurorisë, përfitime nga kjo skemë dyshohet se kanë pasur edhe disa auto-shkolla, të cilat kanë fituar avantazh të padrejtë në treg duke regjistruar shumë më tepër kandidatë sesa konkurrentët.
Në mesin e të akuzuarve janë edhe përfaqësues të auto-shkollave, të cilët ngarkohen për “Dhënie ryshfeti” dhe “Legalizim të përmbajtjes së rreme”.
Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar nga gjykata që, pas shqyrtimit të provave, të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, duke theksuar se mbetet e vendosur në luftimin e korrupsionit dhe keqpërdorimeve që cenojnë besimin e qytetarëve në institucionet publike.



Të tjera
Këto janë punët që shkaktojnë më së shumti stres
Dallaveret me patentë-shoferë në Pejë, aktakuzë ndaj 12 personave
Si duken erëzat para se të vijnë në dyqan?