Prokuroria e Specializuar përmbylli fjalën e saj

Në ditën e dytë, Prokuroria e Specializuar përmbylli fjalën e saj, duke pretenduar se Hashim Thaçi i kishte gënjyer disa herë ndërkombëtarët dhe duke shtuar se deklaratat e mbrojtjes duhet të merren me rezerva sa i përket UÇK-së dhe rolin e ish-udhëheqësve të saj.
Pas Prokurorisë, fjalën përmbyllëse e kishte mbrojtësi i viktimave. Simon Laws citoi deklarata të dëshmitarëve lidhur me dëmin që pretendohet se kanë pësuar viktimat.
Ai tha se viktimat ishin keqtrajtuar dhe pasojat psikologjike disa prej tyre i vuajnë sot e kësaj dite.
Sipas tij, anëtarë të UÇK-së kanë kryer krime, por kjo “nuk e bën atë organizatë kriminale”.
Ai tha se pret që në vendimin e trupit gjykues për këtë rast të dëgjohet zëri i viktimave pjesëmarrëse.
Nesër në mëngjes, ekipi mbrojtës i Thaçit do të nisë fjalën përmbyllëse.
Laws: Fakti që anëtarë të UÇK-së kanë kryer krime, s’e bën atë organizatë kriminale

Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, tha se familjarët e viktimave kanë jetuar në pasiguri, pasi disa prej tyre nuk kishin informacione se të afërmit e tyre nuk jetonin më.
“Mungesa e informacioneve u jepte atyre shpresë”, tha ai.
Ai, duke cituar disa dëshmitarë, tregoi për përjetimet e familjarëve të viktimave. Laws përmendi dëshminë e një gruaje që humbi bashkëshortin dhe për 25 vjet nuk kishte pasur asnjë provë për vdekjen e tij.
“Kjo ka qenë një torturë e vërtetë”, kishte dëshmuar ajo.
Laws po ashtu foli për vrasjet, që pretendoi se janë kryer nga UÇK-ja. Mbrojtësi i viktimave tha se “këto janë vrasje që janë injoruar, mbuluar dhe fshehur. Sigurisht, UÇK-ja është dashur të ndërmarrë hapa për hetimin, ndjekjen penale të tyre”, tha Laws.
Disa nga viktimat, pretendoi Laws, kanë heshtur për humbjen e të afërmve të tyre nga frika se e njëjta gjë mund t’iu ndodhë atyre.
Laws: Mizoria që kemi parë në këtë çështje gjyqësore ka qenë ekstreme

Simon Laws i cili përfaqëson viktimat në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, deklaroi se mizoria që kanë parë në këtë rast ka qenë ekstreme.
Madje, ai tha që viktimat janë keqtrajtuar edhe nga figura të larta, duke përfshirë edhe të akuzuarin Rexhep Selimi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Mizoria që kemi parë në këtë çështje gjyqësore ka qenë ekstreme. Nuk mjaftonte që t’i ndëshkojnë personat thjesht duke i burgosur, por në pothuajse në të gjitha rastet, të ndaluarit, viktimat që unë përfaqësoj- u trajtuan në mënyrë të tmerrshme dhe mizore edhe nuk pati absolutisht proces të drejtë ligjore”, tha ai.
Përveç kësaj, mbrojtësi i vikamave tregoi për mënyrën se si pretendohet se janë mbajtur të ndaluarit në qendrat e ndalimit.
“Kemi dëgjuar persona që i kanë rrahur në ahure të rrethuar me mbetje kafshësh, në dhoma që ishin të ftohta në dimër dhe që vlonin nga vapa në verë, që të burgosurve nuk iu është dhënë ushqim dhe ujë dhe nuk iu jepej asnjë informacion se sa do të zgjaste kjo përvojë e keqe dhe nëse do të dilnin të gjallë prej saj”, tha ai.
Ai po ashtu foli edhe për mënyrën se si pretendohet janë keqtrajtuar të ndaluarit, duke përmendur që u është hedhur kripë në sy e plagë.
“Kemi dëgjuar viktima që i kanë rrahur me hekur të nxehtë, që i kanë urinuar, që i kanë hedhur krip në sy dhe në plagë, që i kanë rrahur në organe gjenitale deri në pikën sa nuk ishin në gjendje që të bënin më fëmijë, që i kanë tallur dhe i kanë ekzekutuar”, tha ai, duke shtuar se një dëshmitar tregoi se si i dridhej trupi kur e vendosen në kontakt me rrymën.
Laws tha se viktimat janë rrahur edhe nga ushtarë të rinj, por edhe nga figura të larta si Sabit Gaci e Xhemshit Krasniqi, e madje edhe nga Rexhep Selimi. Tha se viktimat janë rrahur edhe nga gra e po ashtu edhe nga të burgosur të tjerë të detyruar.
Mbrojtësi i viktimave foli për pasojat psikologjike që kanë viktimat në këtë çështje, duke shtuar se disa prej tyre kanë ende frikë për të qëndruar vetëm, ose frikë nga errësira, e disa të tjerë i përjetojnë ngjashëm ngjarjet që u kanë ndodhur.
Ai foli edhe për viktimat e tërthorta dhe si ka ndikuar ndalimi dhe keqtrajtimi i të dashurve të tyre.
Mbrojtësi i viktimave: Viktimat kanë mbështetur UÇK-në, disa kanë qenë anëtarë- s’bëhet fjalë për denigrim të ushtrisë

Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws gjatë deklaratës së tij përfundimtare në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka thënë se ky proces nuk është zhvlerësim i UÇK-së dhe nuk bëhet fjalë për denigrimin e saj.
Megjithatë, ai shtoi se shumë prej viktimave e kanë mbështetur UÇK-në dhe disa kanë qenë anëtarë të saj, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Shumë prej viktimave e kanë mbështetur UÇK-në. Një numër prej tyre kanë qenë anëtarë të UÇK-së. Këtu nuk bëhet fjalë për të denigruar këtë institucion”, tha mbrojtësi i viktimave.
Përveç kësaj, Laws dekaroi se këtu bëhet fjalë për sjelljen e disa anëtarëve dhe pasojat që kanë pasur sjelljet e tyre në jetën e viktimave.
“Po bëhet fjalë për sjelljen e disa anëtarëve të tij dhe pasojat në jetën e atyre që unë i përfaqësoj”, tha ai.
“Mund të thuhet që ishte e pashmangshme që lufta e UÇK-së për pavarësi do të çonte në humbje jetësh njerëzore. Kjo është pasojë e konfliktit dhe asgjë që mund të them unë nuk përbën gjykim lidhur me të drejtat ose të padrejtat e kësaj lufte dhe nuk është zhvlerësim i UÇK-së në përgjithësi”, shtoi Laws.
Përveç kësaj, ai tha se ishte e pashmangshme që të humbnin jetë njerëzish, por ai pyet se a ishte e pashmangshme që kjo luftë të çonte në mizori, humbje të lirisë së shumë personave, e të tjera.
“Ishte e pashmangshme që do të humbnin jetë njerëzish. Po a ishte e pashmangshme po ashtu që kjo luftë të çonte në mizori dhe vdekjet për të cilat ky trup gjykues ka dëgjuar tashmë ?! A ishte e pashmangshme që një luftë çlirimtare të çonte në humbjen e lirisë për një numër kaq të madh njerëzish?! Apo që civilë nga të gjitha komunitetet të torturoheshin dhe disa prej tyre të humbnin jetën derisa ishin të parandaluar nga UÇK-ja. Ju duhet të merrni vendim se pse kanë ndodhur këto gjëra”, tha ai.
Kryeprokurorja: Kërkojmë që të akuzuarit të japin llogari dhe t’iu shqiptohet dënimi i duhur

Kimberly West, Kryeprokurore e Specializuar, gjatë përmbylljes së fjalës përfundimtare të Prokurorisë, tha se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqit duhet të japin llogari dhe duhet t’iu shqiptohet dënimi i duhur.
“Kanë kaluar shumë vite tashmë dhe ata të cilët kanë humbur pjesëtarët e familjes kanë menduar se nuk do të kenë drejtësi, por shteti i së drejtës nënkupton që askush nuk është mbi të drejtën dhe ligjin. Kjo do të thotë që edhe njerëzit më të fuqishëm duhet të japin llogari. Ne kërkojmë mbi bazën e provave të paraqitura të cilat e vërtetojnë përgjegjësinë pa asnjë dyshim që të akuzuarit të japin llogari dhe të jepet dënimi i duhur”, tha ajo.
Përveç kësaj, Kimberly West tha se gjatë këtij procesi janë pranuar mbi 5 mijë prova dhe 28 mijë faqe transkriptë, gjë që e ka bërë rastin voluminoz, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Mbi 5 mijë prova materiale janë pranuar dhe 28 mijë faqe transkriptë janë paraqitur këtu dhe kështu procesverbali i kësaj çështjeje verbale është voluminoz”, tha ajo.
Përveç kësaj, West falënderoi të gjithë ata që i kanë ndihmuar Prokurorisë në këtë çështje.
ZPS: Roli i Krasniqit është më shumë se i zëdhënësit, ishte pjesë e NPK-së

Prokurori Matt Halling, ka thënë se roli i Jakup Krasniqit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nuk ishte vetëm i një zëdhënësi por ka bërë më shumë.
Ai tha se Jakup Krasniqi ka qenë pjesë e asaj që e quajnë Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale (NPK), raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Ajo që ka bërë është më shumë sesa i përket një zëdhënësi që tregon rolin e tij në kuadër të NPK-së dhe rolin e tij”, tha Halling.
“Sa i përket provave kundër Jakup Krasniqit, procesverbali i çështjes është i mbushur me deklarata të tij nxitëse, vendimet e tij që i ka marrë ne rolin e tij në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm dhe provat e shumta që janë gjetur në shtëpinë e tij të cilat konfirmojnë atë që ka shkruar në librat e tij dhe atë që i ka thënë TPNJ-së lidhur me rolin që ka pasur dhe veprimet që i ka bërë”, tha prokurori.
Sipas prokurorit Halling, në librin e tij, Jakup Krasniqi e pranon që ai i ka shkruar rregulloret përkatëse të ushtrisë së bashku me urdhrat për Policinë Ushtarake që të ishte e pamëshirshme ndaj atyre që janë kundërshtarë dhe sabotojnë luftën çlirimtare.
Ai theksoi se Krasniqi ka pasur rol edhe në emërimet zyrtare, e një prej tyre është emërimi i Ahmet Isufit si komandant i Zonës së Karadakut. Tha se Krasniqi e ka mbikëqyrur edhe sektorin ligjor, duke çuar edhe në emërimin e Sokol Dobrunës- i cili, sipas prokurorit, e ka informuar të akuzuarin lidhur me qendrat e ndalimit.
Halling tha se Krasniqi e ka këshilluar Dobrunën se si të fliste me ndërkombëtarët lidhur me disa civilë serbë që ishin rrëmbyer.
Prokurori Halling tha se ishte pjesë e vendimeve të Shtabit të Përgjithshëm dhe jo vetëm përçues i tyre siç pretendon mbrojtja e tij.
ZPS: Selimi mori pjesë në krime, kushëririn e tij e emëroi vetëm për të kryer krime

Prokurori Matt Halling gjatë deklaratës përfundimtare, duke folur për Rexhep Selimin, tha se ai ka marrë pjesë në kryerjen e krimeve.
Madje, prokurori shtoi se ishte përgjegjës për disa emërime dhe shkarkime. Përveç kësaj, ai tha se kushëririn e tij, Sylejman Selimin, e emëroi tashmë i akuzuari dhe Shtabi i Përgjithshëm vetëm për të kryer krime me njerëzit e tij në Likoc, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Madje, Halling shtoi se i akuzuari kishte aftësinë për të trajtuar sjelljen e vartësve të tij.



Të tjera
Maqedonci takon ambasadorin britanik, diskutohet bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes
Vizita e presidentit turk tregoi forcën e marrëdhënieve dypalëshe
Gallup: Kosova ndër 5 shtetet me mendimin pozitiv për Trumpin, Serbia vlerëson më së shumti Putinin