Mbi një milion euro llogaritet të kenë përfituar deputetët e Kuvendit të Kosovës për gati gjysmë viti, pa arritur të konstituojnë Kuvendin dhe pa zhvilluar pothuajse asnjë aktivitet parlamentar.
Një situatë e paprecedentë që ngre pyetje serioze mbi përgjegjësinë dhe moralin e përfaqësuesve të qytetarëve.
Sipas Ligjit për pagat në sektorin publik, paga bruto mujore e një deputeti është 1.804 euro, por pas rritjes këtë vit prej 110 eurosh, të miratuar nga Qeveria e Kosovës, paga aktuale është 1.914 euro.
Me 105 deputetë të paguar – duke përjashtuar 15 anëtarët e Qeverisë që nuk marrin paga si deputetë – buxhetit të shtetit i hiqen mbi 200 mijë euro çdo muaj vetëm për pagat bazë.
Por, REL-i kontaktoi disa prej tyre, të cilët konfirmuan marrjen e pagës.
“Kjo është publike, mund të kontaktosh edhe Kuvendin, çdo deputet i merr pagat, pavarësisht se a është duke funksionuar apo jo Kuvendi”, tha Rashit Qalaj, deputet nga Partia Demokratike e Kosovës.
“Jemi duke pritur shumë gjatë që Kuvendi të funksionojë, por nuk po i shihet fundi kësaj bllokade”, u shpreh ai.
“Për shembull, mund të vendosen kufizime për periudhat kur konstituimi dhe puna e Kuvendit zvarriten”, shpjegon Kastrati.
Edhe profesori i Ekonomisë, Shkumbin Misini, e konsideron këtë situatë të padrejtë dhe të pandershme.
Kastrati vlerëson se heqja dorë vullnetare nga paga do të ishte një shembull pozitiv për integritetin e Kuvendit. Por deri më sot, sipas saj, asnjë deputet nuk ka bërë një veprim të tillë.
Humbjet ekonomike nga mosveprimi i deputetëve
Ndërsa paga e deputetëve mbetet temë e diskutueshme, ekspertët theksojnë se humbjet më të mëdha për Kosovën nuk janë vetëm financiare.
Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë për Radion Evropa e Lirë se, edhe pse kostoja mujore për pagat e deputetëve është e lartë, ajo është e papërfillshme krahasuar me dëmet që po i shkakton vendit bllokimi institucional.
“Humbja më e madhe nuk lidhet me pagat e tyre, por me pasojat financiare dhe politike që po shkakton moskonstituimi i Kuvendit”, thekson Jakaj.
Sipas tij, mungesa e funksionimit të Kuvendit ka bllokuar miratimin e marrëveshjeve të rëndësishme ndërkombëtare, ndërsa tashmë janë shfaqur probleme serioze edhe në përgatitjen e buxhetit për vitin e ardhshëm.
Një nga pasojat më të mëdha, shton ai, është humbja e mundësisë për të përfituar nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, me vlerë rreth 860 milionë euro për Kosovën.
Jakaj thekson se shtetet e tjera të rajonit tashmë kanë filluar të përfitojnë nga këto fonde të BE-së, ndërsa Kosova po mbetet prapa, pasi nuk ka Kuvend të konstituuar që do ta miratonte marrëveshjen.
Të njëjtin shqetësim e ndan edhe Misini, i cili e quan situatën “të papranueshme dhe skandaloze”.
“Në këtë gjendje, deputetët nuk kanë bërë asnjë përpjekje për të tejkaluar bllokadën, duke rrezikuar fondet e BE-së që mund të ndihmonin zhvillimin ekonomik të vendit, i cili tashmë është në ngadalësim”, thotë Misini.
Tendencën e ngadalësimit ekonomik në Kosovë e konfirmojnë edhe të dhënat e Bankës Botërore, sipas të cilave, parashikimet për rritje ekonomike kanë rënë në 3.8 për qind këtë vit, nga 4.4 për qind sa ishin vitin e kaluar.
Derisa pritet konstituimi i Kuvendit, tetë muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme, Kosova do të mbajë këtë fundjavë edhe zgjedhjet lokale.
Për bllokadën e krijuar, politikanët akuzojnë njëri-tjetrin dhe justifikojnë veprimet e veta. / REL
Të tjera
Dogana sekuestroi mallra të padeklaruara, substanca narkotike e municion
Qeveria në pikëpyetje: Afati afrohet, shenja për formim mungon
Mediumi luksemburgas: Serbia lëviz në një “litar të hollë” mes Lindjes dhe Perëndimit – Vuçiq rrezikon izolimin e vendit