Deputeti shqiptar në Gjermani flet për ngërçin politik në Kosovë- ja si shihet kriza në arenën ndërkombëtare

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka refuzuar takimin me kryeministrin Albin Kurti dhe propozimin e tij për një koalicion të mundshëm qeverisës.

Abdixhiku përmes një konference për media të martën, ka ritheksuar se kanë qëndrim të njëjtë kundër koalicionit qeverisës me LVV-në, gjersa ka ofruar edhe një “zgjidhje”.

Qeveria tranzicionale, është opsion i LDK-së, gjersa Abdixhiku ka shtuar se këtë ia ka prezantuar edhe liderëve të tjerë partiakë në Kosovë.

“Në përputhje me këtë, LDK propozon nisjen e një procesi të ri politik. LDK propozon nisjen e këtij procesi konsultativ me të gjitha partitë politike shqiptare, me qëllim formimin e Qeverisë nacionale të tranzicionit. Një qeveri me afat të caktuar deri në zgjedhjen e presidentit të ri. Për këtë si kryetar i LDK-së jam i gatshëm të takohem me të gjitha partitë politike shqiptare, te ndihmoj në këtë proces dhe ftoj dhe zotin Kurti si dhe liderët e tjerë një takim të radhës kurdo që e shohin të arsyeshme”, ka thënë Abdixhiku.

Në anën tjetër, nga Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sallahu.

Ai e ka quajtur jokushtetues propozimin e LDK-së.

“Është jokushtetuese të propozosh nga pozicioni i tretë qeveri tranzicionale! Kjo dhe format e tjera të krijimit të qeverisë i takojnë dikujt tjetër”, ka pohuar ai.

“Tranzicioni i Kosovës ka sjellë edhe një kulturë politike që është paksa e veçantë. Mendoj se, në rastin konkret, nuk duhet kërkuar fajtorë, por duhet hulumtuar kush ka vizion për shtetin dhe shoqërinë demokratike, në mënyrë që të ofrojë zgjidhje për ngërçin që po e ngulfat vendin. Logjika “sa më keq bëhet, aq më mirë për mua” është shumë e gabuar dhe i përshtatet vetëm atyre që mendojnë për interesat personale, e jo për ato shtetërore.

Të gjitha këto zhvillime japin një pasqyrë jo të mirë të Parlamentit të Kosovës, si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Ajo që votuesi duhet të vërejë është: A është ky parlamenti im i dëshiruar? Nëse jo, atëherë duhet të mendojë mirë dhe të votojë në të ardhmen vetëm ata që e meritojnë të mbajnë një përgjegjësi të tillë. Populli i Kosovës ka treguar deri më tani guximin dhe mençurinë për të përzgjedhur ndryshimin pozitiv.

Deputeti duhet të zgjidhet për dijen, profesionalizmin dhe përgjegjësinë e tij, e jo – siç reflekton një numër i madh i tyre – vetëm për interesat dhe privilegjet personale. Në kohën kur bota ndodhet përballë një rendi të ri botëror, një papërgjegjësi e tillë nga ana e deputetëve është e pafalshme”, deklaron deputeti.

Image

Deli Balidemaj

Sipas tij, LDK nuk ka qenë asnjëherë bllokuese dhe as këtë nuk është dashur ta bëjë as këtë herë.

“Oferta e z. Kurti, edhe pse paksa me vonesë, është dashur të pranohet nëse ka qenë e sinqertë dhe bujare, ngase është oferta për koalicionin më të preferuar nga qytetarët e Kosovës. Mospranimi bisedës është gabim dhe mund të shihet si bllokim – dhe e tillë nuk ka qenë LDK asnjëherë deri tani. LDK është flijuar gjithmonë për të mirën e shtetit – këtë duhet ta bëjë edhe kësaj radhe, ngase asnjë parti në Kosovë, edhe sikur të kishte numrat, nuk ka resurset profesionale për një qeveri të suksesshme. Bashkimi bën fuqinë. Në gjithë këtë rast, nuk ka të pafajshëm të tërësishëm, por edhe logjika “Për inat të res më vdekt djali” është fatale dhe e pafalshme. Në politikë ndodhin edhe sjellje jokorrekte, edhe ofendime që nuk arsyetohen, por në fund ofrohen oferta të sinqerta dhe bëhen kompromise për më të mirën e mundshme. Në një situatë të tillë, nuk duhet të veprohet sipas inateve, por të gjendet një zgjidhje për formimin e institucioneve funksionale dhe të qëndrueshme”, shton Balidemaj.

Partitë politike në Kosovë nuk kanë përjashtuar edhe zgjedhjet e reja pas krizës institucionale, por deputeti Balidemaj, nuk i sheh ato zgjidhje.

“Jo zgjedhjet nuk janë zgjidhje, unë nuk besoj se edhe rezultati i zgjedhjeve të reja do të ofronte atë ndryshim në numra që formimi i institucioneve të jetë i qartë, respektivisht i lehtë. Domethënë, zgjedhjet e reja nuk do të sjellin zgjidhjen e problemit”, përfundon deputeti.