1

Detaje nga rasti i vrasjes së 26- vjeçarit në Prizren

Plagët të cilat i mori nga therja me thikë 26 vjeçari nga Prizreni nuk mundi ti mbijetojë.

Auron Thaqi ndërroi jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, një ditë pas sulmit që iu bë të shtunën rreth orës 23:50.

I njëjti dyshohet se u sulmua me thikë nga E.A shtetas turk, e më pas u hodh nga vetura në lagjen Bazhdarhane.

Fillimisht i ndjeri u dërgua në Spitalin e Prizrenit e nga aty u nis për në QKUK.

Sipas drejtorit të Klinikës së Anesteziologjisë Gazemend Spahja, pacienti nga Prizreni ka ardhur në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Pacienti ka ardhur në gjendje të rendë shëndetësore ne Qendrën Klinike Universitare te Kosovës, në Qendrën Emergjente i nënshtrohet intervenimit kirurgjik por ne Mjekimin Intensiv Qendrore nuk ka mund ti mbijetoje plagëve”, ka thënë Gazmend Spahija, Drejtor i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv.

E për vrasjen e 26 vjeçarit është arrestuar një shtetas turk.

“Lidhur me rastin është arrestuar një i dyshuar mashkull shtetas i Turqisë. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për autopsi, kurse i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet nga Policia.

Për këtë rast edhe Prokuroria Themelore e Prizrenit ka nisur hetimet, derisa nuk kanë bërë të ditur motivet.

“Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari me inicialet E.A. (shtetas turk), i cili me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim 48 orësh. I njëjti, dyshohet se ka kryer veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor” nga neni 186, paragrafi 5 lidhur me paragrafin 3 dhe paragrafin 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Për të dyshuarin E.A., prokuroria brenda afatit ligjor, do të parashtroj kërkesë për caktim të masës së paraburgimit. Rasti është duke u hetuar nga prokuroria në bashkëpunim me policinë. Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, në këtë fazë nuk mund t’ju japim detaje tjera”, thuhet nga Prokuroria.

E në mesditë, për këtë rast Policia e Kosovës ka arrestuar edhe një të dyshuar, kosovarin 29 vjeçar H.B. Ai është në paraburgim për 48 orë.