Me rastin e dhjetë muajve nga tragjedia në stacionin hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona dhe një u plagos rëndë, sot në Beograd do të mbahet një protestë e madhe nën moton “Të gjithë jemi nën strehën”, në organizim të nxënësve të shkollave të mesme dhe studentëve.
Tubimi qendror është caktuar për në ora 18:30, përpara ndërtesës së vjetër të stacionit hekurudhor, me grumbullime të organizuara nga disa pjesë të ndryshme të qytetit.
Pas grumbullimit, pjesëmarrësit do të marshojnë në një shëtitje komemorative nëpër rrugët qendrore të Beogradit, për të nderuar viktimat.
Në 1 nëntor të vitit të kaluar, si pasojë e shembjes së strehës së sapo rinovuar të stacionit në Novi Sad, humbën jetën 16 persona, përfshirë fëmijë dhe të rinj, ndërsa një vajzë u plagos rëndë.
Edhe pse kanë kaluar dhjetë muaj, nuk është ngritur ende asnjë aktakuzë ndaj përgjegjësve, dhe shumica e të arrestuarve fillimisht janë liruar. Ndërkohë, më 1 gusht, 11 persona u arrestuan për korrupsion lidhur me projektin e modernizimit të hekurudhës Novi Sad–kufiri me Hungarinë – përfshirë edhe ish-ministrat Tomislav Momiroviq dhe Goran Vesiq, të cilët po ashtu u lanë të mbrohen në gjendje të lirë.
Kryetarja e Kuvendit, Ana Brnabiq, deklaroi më 18 gusht se rënia e strehës ishte një “diversion i planifikuar” dhe “fillimi i një revolucioni të ngjyrosur”, ndërsa Presidenti Vuciq deklaroi se streha nuk ishte rinovuar – gjë që më pas doli të ishte e pasaktë.
Studentët dhe profesorët vazhdojnë të kërkojnë transparencë për projektin e rindërtimit, por sipas tyre, dokumentacioni zyrtar ende nuk është bërë publik.
Sipas policisë, që nga nëntori i kaluar në Serbi janë mbajtur mbi 23.000 protesta të organizuara nga studentë dhe qytetarë që kërkojnë përgjegjësi institucionale për tragjedinë.
Të tjera
Me presidenten Osmani diskutuam për partneritetin e ngushtë Kosovë-Mbretëri të Bashkuar dhe për formimin e Kuvendit
Ushtria e Kosovës dhe e Shqipërisë trajnohen për ndërtimin e urave ushtarake
Bislimi shpreh mirënjohjen ndaj Kroacisë për mbështetjen dhe përkrahjen e parezervë që po i bën Kosovës