Në pikën kufitare Vërmicë, zyrtarët doganorë kanë parandaluar një rast të tentimit për futjen e mallrave të padeklaruara në territorin e Kosovës, duke ndaluar për kontroll një automjet që hynte në vend.
Sipas njoftimit, doganierët e kanë pyetur drejtuesin e automjetit nëse posedonte mallra për deklarim, ndërsa i njëjti u është përgjigjur negativisht.
Megjithatë, Dogana thotë se bazuar në analizën e riskut, automjeti është selektuar për kontroll në vijën e dytë.
“Gjatë kontrollit të detajuar, zyrtarët doganorë kanë zbuluar gjithsej 610 produkte të ndryshme kozmetike dhe të kujdesit personal, përfshirë produkte për kujdesin e lëkurës dhe flokëve, maska për fytyrë, si dhe parfume të markave të njohura. Me këtë rast është konstatuar kundërvajtje doganore për mosdeklarim të mallrave, ndërsa ndaj rastit janë ndërmarrë veprimet procedurale në përputhje me legjislacionin doganor në fuqi”, ka thënë Dogana në njoftim.
Institucioni i Doganës së Kosovës rikujton të gjithë udhëtarët dhe operatorët ekonomikë se çdo mall që tejkalon kufijtë e lejuar duhet të deklarohet pranë autoriteteve doganore, në mënyrë që të shmangen shkeljet ligjore dhe pasojat që rrjedhin nga to.



Të tjera
Zemra ime është me civilët që po vuajnë
Komisioni për Legjislacion në takim për amandamentet kushtetuese
Si ta ktheni formën pas festave