Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se ka sekuestruar mallra të padeklaruara, substanca narkotike dhe municion gjatë fundjavës së kaluar në pika të ndryshme kufitare të vendit.
Në pikën doganore në Han të Elezit, dogana thotë se gjatë kontrollit të një mjeti transporti ndërkombëtar që po kalonte në transit zyrtarët doganorë kanë zbuluar rreth 180 kilogramë material tekstili të padeklaruar për doganë.
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, kanë thënë se gjatë kontrolleve rutinore të bagazheve të udhëtarëve, zyrtarët doganorë kanë zbuluar dy orë dore të markës “Rolex”, të cilat nuk ishin deklaruar në përputhje me rregullat doganore. Mallrat janë ndaluar për verifikim, ndërsa janë iniciuar procedurat kundërvajtëse sipas Ligjit për Kodin Doganor dhe të Akcizave të Kosovës.
Ndërkohë në Vërmicë, bëjnë të ditur se gjatë një kontrolli të përbashkët me Policinë Kufitare, zyrtarët doganorë kanë ndaluar një udhëtar shtetas të huaj, tek i cili është gjetur një sasi prej 11.1 gram substancë e dyshuar narkotike, e fshehur në xhaketë. Personi është ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorisë kompetente, ndërsa njësitet hetimore dhe K9 kanë asistuar në kontrollin e automjetit.
Po në këtë pikë doganore, gjatë kontrollit të një automjeti në hyrje të Kosovës, janë gjetur afër 100 palë këpucë të padeklaruara, për të cilat udhëtari nuk posedonte dokumentacion përkatës. Mallrat janë ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave ligjore.
Ndërkohë, Dogana e Kosovës njofton se në vijën e dytë në Pikën Kufitare Vërmicë–Morinë, është zbuluar një kuti që përmbante 50 fishekë të kalibrit 9 mm, të fshehur nën gomën rezervë të automjetit, si dhe një cigare e mbushur me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë (0.58 gramë).
Kanë treguar se municioni dhe substanca janë konfiskuar, ndërsa rasti është proceduar për hetime të mëtejme nga autoritetet kompetente.
Dogana e Kosovës thotë se vazhdon me përkushtim zbatimin e ligjit dhe kontrollin e kufijve të Republikës së Kosovës, me qëllim të parandalimit të kontrabandës, trafikimit dhe çdo veprimtarie të paligjshme që cenon sigurinë ekonomike dhe publike të vendit.
Të tjera
Tani është koha e tij, hani rrush çdo ditë – Ja benefitet për trupin
Pas 9 nëntorit trajtojmë çështjet tjera, tani fokusi te fitorja
Vendimet e mëdha s’janë asnjëherë të lehta, interesi i qytetarëve mbi gjithçka