Pas humbjes që PDK pësoi në Drenas, humbje kjo që është e para për PDK-në në këtë komunë, deputeti i kësaj partie, Nait Hasani, ka kërkuar dorëheqjen e Memli Krasniqit nga pozita e të parit të PDK-së, duke e fajësuar këtë të fundit për përplasjet me Ramiz Lladrovcin, i cili doli fitues pa balotazh në Drenas.
“Partia Demokratike ka bërë gabimin fillimisht që nuk e kandidoi Ramiz Lladrovcin për kryetar, pavarësisht rrethanave politike. Lladrovci ka shfrytëzuar të drejtën për ta gjetur elektoratin e PDK-së dhe për ta formuar iniciativën, e cila është pjesë e strukturës së PDK-së. Prandaj, fitorja e tij tregon suksesin e jashtëzakonshëm të qytetarëve të Drenasit në mbrojtje të vlerave të tyre. Ramiz Lladrovcin nuk e ka votuar asnjë anëtar i VV-së, sepse ata do ta votonin vetëm nëse do të kishte balotazh. Përkundrazi, të gjithë qytetarët e Drenasit e kanë mbështetur atë kundër Memli Krasniqit dhe strukturave aktuale të PDK-së. Në politikë ka moral. Nëse Memli dhe të tjerët kanë moral, bashkë me deputetët në Drenicë që i ka mundur Ramizi, duhet të japin dorëheqje. S’kanë më fytyrë të qëndrojnë aty”, ka thënë deputeti, Nait Hasani.
E analisti Afrim Kasolli, duke komentuar situatën e krijuar në PDK, thotë se kryesia qendrore e PDK dëshironte një kryetar kukull në Drenas, andaj edhe erdhi deri te përçarja.

“Prej se mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë, për herë të parë Partia Demokratike e Kosovës nominalisht nuk do ta drejtojë Komunën e Drenasit, një bastion ky elektoral tradicional i këtij subjekti politik. Dhe atë jo pse munguan votat, por për shkak të përçarjeve të brendshme. Arsyet e këtyre përplasjeve mund të jenë të shumta, por në esencë ato reflektojnë dëshirën dhe ambicien e kryesisë qendrore të këtij subjekti politik që ta kenë një kryetar kukull në krye të asaj komune. Ata janë nisur nga supozimi se mbase në Drenicë fiton emblema e partisë dhe jo kandidati”, shprehet Kasolli.
“Prandaj kanë kalkuluar se në këtë mënyrë kanë shansin ta eliminojnë politikisht Ramiz Lladrovcin si dhe ta ruajnë pushtetin për vete. Por ky kalkulim u doli i gabuar, sepse nuk e kanë lexuar si duhet disponimin e qytetarëve të Drenasit, ku edhe ata nuk do të votojnë paushall”, thotë Kasolli, sipas të cilit, Memli Krasniqi duhet të japë dorëheqje.
“Pas këtij dështimi dorëheqja morale është akti i parë që Memli Krasniqi me kompaninë e tij duhet ta bënin. Madje ata janë vonuar në këtë drejtim”, përfundon për “Bota sot”, analisti Afrim Kasolli.
Të tjera
Meshkujt që nuk mund t’i bëjnë 10 pompa janë më të rrezikuar nga sëmundjet e zemrës
Krimi dhe politika: Zbulime nga vëllai i Dajakut për strukturat e financuara nga fondi i 3% të Bukoshit
Ushqimet që asesi nuk duhet t’i lani para gatimit