Sot (e enjte 1 maj) për herë të nëntë do të tentohet finalizimi seancës konstituive të Kuvendit që nisi më 15 prill dhe ngeci për shkak të kundërshtimit të kandidates, Albulena Haxhiu për postin e kryetares së Kuvendit, nga partitë që dolën pas LVV-së.
‘Njëherë Kuvendi, e pastaj Qeveria”, është deklaruar disa herë kryeministri në detyrë Albin Kurti.
Partia e të cilit doli sërish fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit ka propozuar Albulena Haxhiun, ish ministren e drejtësisë, si kandidate për Kryetare të Kuvendit. Mirëpo, opozita duke u thirrur në atë që ka të drejtë të kundërshtojë kandidatin e partisë fituese, e ka refuzuar Haxhiun për kryeparlamentare.
Si shkak i kësaj, Kosova po hynë gati në muajin e tretë pa institucione të reja, duke llogaritur kohën që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare.
Por cila është arsyeja që opozita nuk e do Haxhiun në këtë pozitë? A po kërkojnë ‘hakmarrje’ ndaj Vetëvendosjes apo presin për t’iu kaluar radha atyre për formimin e institucioneve? Apo ekziston mundësia tjetër që nuk e duan Haxhiu për shkak të punës së saj si Ministre e Drejtësisë dhe ligjin për byronë e konfiskimit të pasurisë së paligjshme?
Burjani: Për momentin nuk ka marrëveshje, por ka mospajtime
Lidhur me këtë çështje, ka folur juristi dhe profesori, Blerim Burjani. Ai vlerëson se ekzistojnë të dyja këto mundësi dhe duke përmendur arsyet pse partitë opozitare kundërshtojnë Vetëvendosjen.

“Me të dyja. E para, sepse ajo jo rrallëherë ka fyer disa njerëz të opozitës dhe tërë opozitën në përgjithësi. Pastaj edhe Kurti ka përdorur një fjalor të pamatur politikisht. Këto janë regjistruar në veshët e opozitës. LDK-ja as që dëshiron të merret fare me asnjërin prej tyre. PDK-ja gjithashtu nuk dëshiron të bashkëpunojë, edhe pse sjelljet e saj janë më të buta ndaj VV-së”, vlerëson ai.
Sipas profesor Burjanit, të gjithë po kërkojnë ose një marrëveshje për kryeministrin dhe presidentin e ardhshëm, ose nuk do të ketë as kuvend e as qeveri.
“Tash, nëse do të merren vesh për këto çështje, mbetet të shihet. Për momentin nuk ka marrëveshje, por ka mospajtime”, tha ai
Një reformë që do të mundësonte një rotacion të postit të kryeparlamentarit
Po ashtu, për këtë temë ka folur edhe deputeti shqiptar nga Berna, Korab Rashiti. Ai duke ndjekur zhvillimet politike në Kosovë, thekson se, bllokada aktuale në formimin e institucioneve të reja në Kosovë nuk ka të bëjë me ndonjë krizë kushtetuese apo ndarje të thellë ideologjike mbi drejtimin e vendit, por është rezultat i interesave të ngushta të partive politike dhe sidomos të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
“Kjo e fundit, si subjekt politik i majtë ekstrem, ka ndërtuar të gjithë narrativen e vet mbi idenë se partitë tjera janë të korruptuara, hajdutë apo të paafta – madje i ka etiketuar si “hajvana”. Kjo e bën të pamundur për LVV-në të bashkëqeverisje në mënyrë konsensuale, pasi një qeverisje me kompromis do të rrëzonte thelbin e retorikës që i solli pushtetin. Së dyti, ekziston një problem i thellë në vetë strukturën e sistemit politik të Kosovës, në veçanti në mënyrën si zgjidhet Kryetari i Kuvendit. Ky proces, në mungesë të një kulture kompromisi dhe me mungesën e një arkitekture më elastike institucionale, prodhon ngërç institucional që rrezikon të bëhet kronik në çdo legjislaturë. Nga pikëpamja ime, do të ishte me vlerë të shqyrtohej një reformë që do të mundësonte një rotacion (turnus) të postit të kryeparlamentarit ndërmjet katër partive më të mëdha parlamentare, me mandat njëvjeçar brenda ciklit katërvjeçar”, vlerëson Rashiti.

AI thotë se, në këtë rast konkret, opozita nuk është ajo që po bllokon procesin.
“Përkundrazi, është Vetëvendosje që po mban një interpretim maksimalist dhe të deformuar të rolit të partisë së parë, duke pretenduar se vetëm ajo ka të drejtë ta udhëheqë Kuvendin dhe qeverisjen, pa ndonjë reflektim mbi nevojën për konsensus apo koalicione të gjera që janë thelbi i çdo sistemi parlamentar. Në një sistem të tillë, pushtetin e merr jo domosdoshmërish partia e parë, por ajo që arrin të ndërtojë një shumicë funksionale dhe të balancuar. Së fundi, duhet theksuar se urgjenca për të formuar një qeveri të re është në masë të madhe artificiale. Institucionet bazë të shtetit – si policia, shkollat, shërbimet publike – vazhdojnë funksionimin normal. Kjo situatë nuk është as e re dhe as dramatike: edhe vende të konsoliduara si Belgjika kanë kaluar muaj të tërë, madje më shumë se një vit, pa qeveri të re, ndërkohë që jeta qytetare vazhdon”, nënvizoi ai.
Rashiti vlerëson po ashtu se mungesa e një qeverie mund të shihet edhe si një kohë qetësie për qytetarët: pa qeveri të re nuk ka ligje të reja, nuk ka rritje taksash dhe nuk ka ndërhyrje të reja nga shteti në jetën e përditshme. Kjo u jep qytetarëve një moment frymëmarrjeje, një farë “paqeje administrative”.
Ndërkaq, sa i përket asaj se, nëse vendi duhet të shkojë sërish në zgjedhje të reja, duhet thënë se kjo gjë nuk do të sillte ndonjë ndryshim të madh real.
“Dinamika elektorale është relativisht e qëndrueshme dhe gjasat që rezultati të ndryshojë ndjeshëm janë të vogla. Megjithatë, ekziston një mundësi që mund të krijojë një konfigurim të ri politik: nëse presidentja Vjosa Osmani do të jepte dorëheqjen në mënyrë të parakohshme, kjo do të krijonte një situatë ku zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare do të zhvilloheshin njëkohësisht, gjë që do të mundësonte ndërtimin e aleancave të reja që nga fushata, dhe rrjedhimisht, një stabilitet më i madh institucional pas zgjedhjeve. Por, përpara se të japë dorëheqjen, do të ishte e dëshirueshme që Vjosa Osmani të mbajë një fjalim para qytetarëve dhe t’i thërrasë të gjitha forcat politike që të ulen në një tryezë për të propozuar një zgjidhje të drejtë, funksionale dhe të pranueshme për të gjithë. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë ajo mund të marrë vendimin për dorëheqje dhe t’ia hapë rrugën zgjedhjeve të parakohshme, duke rikthyer fjalën te sovrani – populli i Kosovës”, vlerësoi deputeti Rashiti.
Të tjera
Rama dhe Macron inaugurojnë shkollën franceze të kodimit “Ecole 42”
Deputeti ngjitet në çatinë e Parlamentit për të kryer ve*tëvrasje
FSK në fazën e fundit të tranzicionit, në fokus armatimi i rëndë dhe flota e helikopterëve