Florian Dushi, nënkryetar i Prishtinës, ka thënë për dokumentarin Expose të Gazeta Blic se pavarësisht kërkesave të vazhdueshme ndaj Muratit, nuk kanë marrë asnjëherë përgjigje.
“Postimi është i fundit, ndërkohë që ne kemi pasur disa komunikime të njëanshme meqë nuk kemi marrë asnjëherë përgjigje nga ministria e financave. Kryetari Rama i ka shkruar disa herë ministrit të financave por edhe zyrtarëve të tjerë përgjegjës që të përmbushin detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore në raport me kryeqytetin sepse vërtet pengesat që janë vendosur janë pengesa që po vështirësojnë funksionimin e përgjithshëm në kryeqytet, duke nisur nga shërbimet që ofron komuna, por edhe çerdhet, shkollat, qendrat e të moshuarve, investimet kapitale. E dini që në të gjitha rastet kanë vështirësi financiare. Prandaj është jashtëzakonisht e vështirë për ne si kryeqytet që të funksionojmë dhe ne me mirëkuptim i kemi kërkuar që pavarësisht periudhës të para zgjedhjeve lokale, të njëjtit të jenë korrekt me kryeqytetin. Megjithatë, nuk kemi marrë asnjëherë përgjigje dhe madje vështirësitë kanë nisur të paraqiten në forma nga më të ndryshmet, të cilat janë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi”, është shprehur nënkryetari i Prishtinës.
Dushi tregon se buxheti është votuar me vonesë por që thotë se këtë e kanë vështirësuar Murati dhe Lëvizja Vetëvendosje. Bllokadën në kryeqytet ai e sheh të dyfishtë, nga opozita në komunë dhe ministri Murati në qeveri.
“Është pikërisht z.Murati dhe subjekti i tij politik që e ka vështirësuar edhe procedurën e aprovimit të buxhetit në kuvendin komunal. Është e vërtetë që e kemi aprovuar buxhetin më 9.12.2024 që është periudhë e mjaftueshme për t’i bërë inkorporimet në buxhetin e shtetit mbi bazën e vendimit të kuvendit komunal. Megjithatë, kjo nuk ka ndodhur dhe është vendosur që buxheti kryeqytetit t’i alokohet buxhetit të vitit 2024 por prapë edhe këtu kemi probleme, vështirësi, sepse për shkak të një vonese, ata e konsiderojnë si të paimplementueshëm që i referohen sa herë të duan kur duan ta minusojnë buxhetin te na alokohet për projekte të ndryshme. Prandaj konsideroj se bllokada për kryeqytetin është e dyfishtë, në nivelin të kryeqytetit që vijnë nga subjektet opozitare siç janë VV dhe PDK. Ndërkohë që në nivelin qendror e kemi z.Murati që kujdeset që të sajojë arsye të shumta për të penguar kryeqytetin në përmbushjen e detyrave dhe vizionit të tij”, ka thënë ai.
Nënkryetari i Prishtinës, Florian Dushi, thotë se sikur në komunat tjera, bllokada ka pasur nga Qeveria edhe për kryeqytetin. Ai thekson se për herë të parë ka ndodhur kaq hapur një diskriminim mes komunave, varësisht nga përkatësia politike.
“Një situatë e ngjashme është edhe me kryeqytetin. Ju i dini bllokadat që kanë ndodhur edhe sa i përket unazës së kryeqytetit dhe projekte tjera. Ka një diskriminim institucional sa i përket Prishtinës por edhe komunave tjera që nuk udhëhiqen nga VV-ja dhe do të thosha që në këtë formë kaq hapur ndodh për herë të parë, për të mos thënë që ka dhe elemente dhe forma tjera përmes të cilave është tentuar të pengohet puna në kryeqytet nga qeveria, madje edhe duke provuar që përmes akteve të ndryshme, përmes legjislacionit të ri të sponsorizuar nga Qeveria, të gllabërohen autorizime nga ana e pushtetit lokal, ndryshe nga siç e përcakton Kushtetuta”, ka potencuar ai.
Dushi ka njoftuar se do t’i ndjekin të gjitha rrugët ligjore për bllokadat nga qeveria.
“Ne i shkruar edhe njëherë, madje edhe i kemi njoftuar po ashtu edhe Ministrinë e Financave që do t’i ndjekim të gjitha rrugët ligjore, do t’i drejtohemi edhe gjykata edhe prokurorisë për të parë nëse ka keqpërdorim të detyrës zyrtare në këtë rast dhe për atë që i bëhet diskriminim kryeqytetit në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Ne do të provojmë, do të gjejmë forma për t’i shtyrë përpara proceset, megjithatë, situata në të cilën gjendet kryeqytetit është një krizë e thellë financiare për çka përgjegjëse është qeveria dhe drejtpërdrejt Ministria e Financave”, ka theksuar ai.
Të tjera
Protestë në përkrahje të ish-luftëtarëve të UÇK-së në Hagë
Janë shpërngulur 629 nxënës nga Kosova
Moska po kërkon zgjerimin e lu*ftës