Dy vitet e fundit në Rripin e Gazës nuk ishin thjesht vite lufte; ishin një pasqyrë e errët në të cilën u reflektua fytyra e botës — një botë që u mbulua për dekada me maska retorike, slogane për të drejtat e njeriut, parime ndërkombëtare, dhe pretendime për civilizim e humanizëm.
Ajo që ndodhi në Gaza ishte më shumë se një agresion ushtarak: ishte një test moral global, i cili demaskoi njëherë e mirë hipokrizinë e institucioneve ndërkombëtare, politikave perëndimore, regjimeve arabe dhe opinionit publik ndërkombëtar.
Izraeli, i mbështetur në mënyrë të plotë dhe të hapur nga Shtetet e Bashkuara, zhvilloi një fushatë ushtarake që shkaktoi mbi 67 mijë viktima palestineze, të dokumentuara e shumfishi i tyre mbetet i padokumnetuar ende nën gërmadha, shumica dërrmuese civilë — gra, fëmijë e pleq.
Përgjatë dy vite me radhë, bota pa realisht “ushtrinë më të moralshme në botë” dhe për “përpjekje për të shmangur viktimat civile”, ndërkohë që realiteti në terren tregonte lagje të tëra të fshira nga harta, spitale të bombarduara, kampe refugjatësh të shkatërruara dhe varre masive të krijuara përditë.
Rezolutat e OKB-së në anën tjetër për mbrojtjen e civilëve u përdorën si fasadë.
U miratuan deklarata, u lexuan fjalime, u bënë takime emergjente, por në fund çdo fjalë mbeti bojë e zezë në letër të bardhë, pa asnjë ndikim real.
Izraeli veproi i pakontrolluar, duke injoruar çdo apel ndërkombëtar, ndërsa mekanizmat e drejtësisë ndërkombëtare u treguan të paralizuar.
Ironikisht, pikërisht populli që dikur ishte viktimë e një prej krimeve më të mëdha të historisë moderne — Holokaustit sot, përmes strukturave shtetërore të Izraelit, ka shndërruar Rripin e Gazës në një kamp të hapur përqendrimi, ku për dy vite me radhë një popull i tërë është i rrethuar, i uritur, i privuar nga uji, ilaçet, energjia dhe liria e lëvizjes. Gaza është kthyer në një hapësirë të mbyllur me tela gjembi, nën mbikëqyrje ushtarake të përhershme, ku jeta njerëzore trajtohet me indiferencë të ftohtë statistikore. Numri i përgjithshëm i të vrarëve, të zhdukurve dhe të plagosurve palestinezë në këto dy vite ka arritur një çerek milioni njerëz, një shifër që trondit ndërgjegjen njerëzore dhe që do të mbetet e gdhendur në historinë moderne si dëshmi e një katastrofe të vazhdueshme humanitare.
Në këtë kontekst, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e shfrytëzoi luftën për të mbijetuar politikisht. Për të ruajtur pozitën dhe koalicionin e tij, ai nuk ngurroi të sakrifikonte edhe qytetarët izraelitë të marrë peng nga Hamasi, duke refuzuar marrëveshje të mundshme shkëmbimi që do të mund të sillnin fundin e luftimeve.
Lufta, për të, u bë një mjet për të zgjatur jetën politike, edhe nëse kjo do të thoshte zgjatje e vuajtjeve të dy popujve.
Në këtë luftë, poashtu Shtetet e Bashkuara u demaskuan si mbështetësi kryesor politik, diplomatik dhe ushtarak i një agresioni që shumë ekspertë dhe institucione e quajtën hapur “gjenocid”.
Në çdo rezolutë që kërkonte armëpushim, Uashingtoni vuri veton. Në çdo raport për krime lufte, qëndrimi i tyre ishte justifikues, madje shpesh me ndikim.
Retorika për “rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla” ra në tokë sapo rregullat duhej të zbatoheshin ndaj aleatit të tyre strategjik.
Organizatat ndërkombëtare, që për dekada kishin folur për “të drejtat e fëmijëve”, “mbrojtjen e civilëve” dhe “ndalimin e krimeve të luftës”, u treguan të pafuqishme përballë një realiteti të përgjakshëm. Deklaratat e tyre tingëlluan bukur, por ishin fjalë të zbrazëta, të mbytura nga bombardimet. Asnjë mekanizëm real nuk u vu në lëvizje për të ndaluar krimet, asnjë mbrojtje efektive nuk iu ofrua popullit të Gazës.
Edhe regjimet arabe u demaskuan.
Asnjëra prej tyre nuk arriti të dërgojë as edhe një kafshatë bukë apo një gllënkë uji apo një ikaç për vëllezërit e tyre që ndodhen disa kilometra larg kufijve të tyre. Kufijtë mbetën të mbyllur, ndihmat u bllokuan, dhe deklaratat e tyre politike ishin të vakëta, të kujdesshme dhe të kalkuluara. Në vend të solidaritetit real, mbizotëroi frika, oportunizmi dhe servilizmi diplomatik.
Megjithatë, kjo periudhë nuk nxori vetëm errësirë. Nga shumë vende të botës, popujt, myslimanë e jomyslimanë, u ngritën me një ndjenjë të pastër humanizmi dhe drejtësie.
Miliona njerëz marshuan nëpër rrugë, ndihmuan me fonde, mbajtën gjallë zërin e Gazës në mediat alternative, kur mediat zyrtare heshtnin. Kjo tregon se ndonëse humanizmi është shuar në nivelet elitare politike, në shtresat e gjera popullore ai ende frymon — i lodhur, i goditur, por ende gjallë.
Gaza është bërë sot jo vetëm simbol i qëndresës palestineze, por edhe pasqyrë e ndërgjegjes botërore. Ajo që ndodhi dhe po ndodh atje nuk është vetëm një tragjedi kombëtare; është një test historik për njerëzimin. Dy vitet e fundit kanë treguar me qartësi kush janë ata që e përdorin fjalën “drejtësi” për retorikë, dhe kush janë ata që e mbajnë gjallë me veprime. Historia do t’i gjykojë të gjithë — jo sipas fjalëve, por sipas qëndrimeve dhe veprave.
Të tjera
Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut: Kush fitoi dhe ku?
Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut – këta janë fituesit në komunat shqiptare!
Heroizëm shqiptar në Zvicër: Tre bashkatdhetarë shpëtojnë një grua, nderohen nga ushtria zvicerane!