AGK: E rrezikshme gjuha e Osmanit ndaj gazetarëve, të ruaj lirinë e mediave

E rrezikshme gjuha e Osmanit ndaj gazetarëve, të ruaj lirinë e mediave

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka quajtur sulm të ri ndaj medieve dhe deklarim të papranueshëm reagimin e presidentes Vjosa Osmani ndaj arrestimit të kameramanit Jetmir Muji.

Në reagimin e saj, AGK thotë se raportimi për vajzat e Osmanit si persona publikë, është në interes të publikut dhe jo përndjekje.

“Të papranueshme dhe të rrezikshme janë gjuha dhe sulmet e Presidentes Osmani ndaj gazetarëve dhe mediave. AGK-ja është posaçërisht e shqetësuar me këtë paragraf  të reagimit të Presidentes Osmani: “Asnjëherë, disa të ashtuquajtur gazetarë (për ndonjë prej tyre do të shokoheshit se me çfarë veprimtarie të kundërligjshme merren, sipas institucioneve tona të sigurisë), asnjëherë nuk kanë shkruar se presidentja e vendit i dërgon fëmijët në shkollë publike në Kosovë, përkundër sfidave të mëdha me të cilat përballej kjo shkollë’”, thuhet në reagimin e AGK-së, që ka cituar një pjesë të reagimit të presidentes.

AGK më tej e ka quajtur këtë deklaratë si shantazh ndaj gazetarëve dhe ka kërkuar nga presidentja e vendit “që të heqë dorë nga praktika jodemokratike e sulmeve ndaj mediave, dhe ta ushtrojë me përgjegjësi postin që ka”.

“Ky është një shantazh i hapur publik ndaj gazetarëve që vjen nga kreu i shtetit, me qasje të pakufizuar në raporte të institucioneve të sigurisë. Një mesazh i tillë kur vjen nga kreu i shtetit duhet të shërbejë si alarm për sigurinë juridike të secilit qytetar të Kosovës. Në kohën kur gazetarët dhe mediat sulmohen vazhdimisht nga Qeveria, Presidentja e Republikës së Kosovës, duhet të jetë ajo që garanton dhe ruan lirinë e medias, detyrë dhe obligim edhe sipas Kushtetutës së Kosovës”, vazhdon reagimi.

Ndërkaq. presidentja Vjosa Osmani më herët përmes një reagimi ka thënë se ekziston “përndjekje e vazhdueshme, e kundërligjshme dhe e rrezikshme që media të caktuara po ia bëjnë vajzave të saj të mitura”.

Në anën tjetër pak orë më parë, u lirua kameramani i Paparacit, Jetmir Muji, pas arrestimit të tij nga Policia e Kosovës për shkak të realizimit të xhirimit të mbrojtjes së afërt të vajzave të presidentes Vjosa Osmani.