Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të mbajnë sot, me fillim nga ora 17:00, një protestë në Prishtinë për të kundërshtuar padrejtësitë nga ana e Gjykatës Speciale në Hagë. Protesta vjen pas raportimeve se dokumente dhe dosje të Serbisë po përdoren si prova në proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, transmeton Kosova Post.
Gjatë një konference për media të mbajtur të mërkurën, përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta u bënë thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në mbështetje të kësaj proteste, e cila synon të mbrojë luftën çlirimtare dhe dinjitetin e saj.
Mbështetje për protestën kanë shprehur edhe partitë opozitare: Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Ndërkohë, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke listuar gjashtë pika lidhur me protestën. Ai vlerëson se protesta është e vonuar dhe thekson se në më pak se pesë vjet, qeveria Kurti ka shpenzuar mbi 33 milionë euro për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë.
Ndër pikat e tjera të theksuara nga Manxhuka janë:
Protesta është dhjetë vjet e vonuar; duhej të mbahej në vitin 2015.
Lufta çlirimtare nuk mund të rishkruhet, por as historia e krijimit të Gjykatës Speciale.
Kosova ka nevojë për drejtësi të brendshme, transparente dhe me besim publik, jo për gjykata speciale me standarde të dyfishta.
Ish-presidenti Thaçi, në një intervistë të fundit nga Haga, ka pasur qëndrim të butë ndaj Gjykatës Speciale.
Opozita, sipas tij, ka përdorur çështjen e të akuzuarve më shumë për të sulmuar qeverinë Kurti sesa për lirimin e tyre.
Protesta pritet të zhvillohet në sheshin “Skënderbeu” dhe të përfshijë qytetarë nga të gjitha trevat, si dhe përfaqësues të familjeve të dëshmorëve dhe veteranëve të luftës.
Të tjera
Kosova qëndron fuqishëm përkrah jush
Shefi i OBSH-së kërkon mbrojtje për shëndetin dhe punonjësit e ndihmës në Gaza pas lirimit të një punonjësi nga Iz*raeli
Baraliu kërkon trajtim serioz të fakteve për Listën Serbe