Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar më 15 vjet burgim Millosh Pleskoviqin, për krime lufte ndaj popullsisë civile.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Rrahman Beqiri shpalli fajtor Pleskoviqin pasi siç njoftoi ai, me datë 1 shtator të vitit 1998 në afërsi të lagjes “Hoqa Mahallë” në Prizren, në cilësinë e pjesëtarit të forcave serbe ka marrë pjesë në vrasjen e tre personave shqiptarëve, Fatmir Bojaxhiu, Binak Dacaj e Reshat Dacaj.
Në aktgjykimin e shpallur sot më 31 korrik, gjyqtari Beqiri tha se gjykata bazuar në dispozitat e ligjit penal të Jugosllavisë dhe dispozitat e kodit e të procedurës penale, të akuzuarit Millosh Pleskoqviq i shqipton dënim më burgim në kohëzgjatje prej 15 vjet.
“Sipas aktakuzës së prokurorisë speciale të Republikës së Kosovës, datë 07.06.2024 pas mbajtjes dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, në praninë e prokurores speciale të akuzuarit Millosh Pleskoviq, përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Gent Gjini, të dëmtuarës Marije Dacaj, sot më datë 31.07.2025 në seancë të hapur dhe publike me shumicë të votave të anëtarëve të trupit gjykues, në emër të popullit shpallë aktgjykim: I akuzuari Milosh Pleskoviq shpallet fajtor për veprën penale krimi i luftës kundër popullsisë civile në kundërshtim me nenin 142 e lidhur me nenin 22 të LPJ-së. Shkurtimisht për shkak se me datë 01.09.1998 në afërsi të lagjes Hoqa Mahallë në Prizren, në cilësinë e pjesëtarit të forcave serbe ka marrë pjesë në vrasjen e tre personave të kombësisë shqiptare, Fatmir Bojaxhiu, Binak Dacaj e Reshat Dacaj. Andaj, gjykata bazuar në dispozitat e ligjit penal të Jugosllavisë dhe dispozitat e kodit e të procedurës penale, të njëjtit i shqipton: Dënim më burgim në kohëzgjatje prej 15 vjet. Dënim ky i cili do ekzekutohet në afat prej 15 ditësh nga dita e përputhshmërisë së këtij aktgjykimi”, tha Beqiri.
“Mi kanë mbytur dy djemtë Milloshi, 29 vjet i kanë pasur. Me duar thatë kanë shkuar në mal, Milloshi i ka mbytur… Shpirti mu ka djeg…shumë pak [dënimi]”, tha Dacaj.
Edhe motra e tyre, Ganimete Dacaj tha se Pleskoviq ka kryer masakër ndaj vëllezërve Dacaj, për çka kërkoi dënim të përjetshëm për të. Sipas saj, drejtësia nuk është në nivelin e duhur.
“Pak është gjykata që e ka dënuar. Pak është, duhet përjetë. ai ka njohur vëllezërit e mi. Ai Miloshi është. Dënimi është pak. Ai mi ka masakruar vëllezërit… A e patë nënën e atij ‘Pleskoviq], po nëna ime qe sa vite është duke qajtur… Pak është drejtësia, nuk është në nivel drejtësia. Duhet më shumë”, tha Dacaj.
Pleskoviq akuzohet se gjatë vitit 1998-1999 në Prizren, në bashkëkryerje me një grup serbësh të armatosur kishin vrarë tre civilë shqiptarë dhe plagosur disa të tjerë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale e ngritur më 7 qershor 2024, Millosh Pleskoviq gjatë vitit 1998-1999 në Prizren, në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare kundër personave civilë, duke kryer vrasjen e viktimave./
Të tjera
LVV në Artanë distancohet nga kandidati për asamblist që u arr*estua
Kosova qëndron fuqishëm përkrah jush
Shefi i OBSH-së kërkon mbrojtje për shëndetin dhe punonjësit e ndihmës në Gaza pas lirimit të një punonjësi nga Iz*raeli