FSK dhe Bundeswehr, bashkëpunim strategjik në edukimin ushtarak

FSK dhe Bundeswehr, bashkëpunim strategjik në edukimin ushtarak

Në kuadër të bashkëpunimit bilateral ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë, delegacioni nga Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes i Forcës së Sigurisë së Kosovës ka realizuar një vizitë studimore në Shkollën e Oficerëve të Bundeswehr-it në Dresden të Gjermanisë.

Delegacioni, i përbërë nga Kolonel Nevzad Asllani, Nënkolonel Bashkim Hamdiu dhe Kapiten Ylli Dalladaku, u prit nga stafi i shkollës, i cili prezantoi nga afër strukturën organizative, programin mësimor dhe infrastrukturën mbështetëse të këtij institucioni të rëndësishëm të arsimit ushtarak gjerman, njofton FSK.

Në kuadër të vizitës, delegacioni u takua edhe me Komandantin e Shkollës së Oficerëve, Gjeneral Brigade Stephan Willer, i cili ofroi mbështetje të vazhdueshme për shkollimin dhe trajnimin e oficerëve të FSK-së.

Me këtë rast ata takuan kadetët e FSK-së që po ndjekin shkollimin në këtë qendër, ndërsa programi i vizitës përfshiu edhe ndalesa në qendra kulturore dhe historike që lidhen me zhvillimin dhe historinë ushtarake të Bundeswehr-it.

Sipas njoftimit kjo vizitë fuqizon bashkëpunimin ndërmjet dy shkollave të oficerëve dhe hap mundësi për identifikimin e fushave të reja të bashkëpunimit në fushën e shkollimeve ushtarake dhe shkëmbimit të përvojave profesionale.

“Përkushtimi ynë për zhvillim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm forcon lidhjet strategjike mes FSK-së dhe ushtrisë gjermane”, thuhet në njoftim.