Kylian Mbappé po përballet me konkurrencë të fortë në mbrojtje të “Këpucës së Artë Evropiane”, me Harry Kane dhe Erling Haaland mes emrave kryesorë që synojnë të bëhen golashënuesit më të mirë në Evropë. Vedat Muriqi i Kosovës deri tani është në mesin e top 5 golëshënuesve më të mirë në Europë
“Këpuca e Artë Evropiane” mbetet një nga çmimet individuale më prestigjioze në futboll, pasi shpërblen sulmuesin më produktiv në kampionatet vendore të Evropës.
Çdo sezon sjell një garë të re mes yjeve më të mëdhenj të sulmit, të cilët vazhdimisht prodhojnë shifra të jashtëzakonshme golash. Forma, dëmtimet dhe dinamika e skuadrës mund të ndryshojnë gjatë sezonit, por disa emra janë bërë tashmë pretendentë të përhershëm falë aftësisë së tyre në finalizim, lëvizjes pa top dhe vazhdimësisë.
Gjatë dekadave, ky çmim është dominuar nga sulmues legjendarë, nga epokat rekord të Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos, deri te fituesit më të fundit që kanë shënuar futbollin modern. Edicioni 2024/25 u fitua nga Kylian Mbappé, i cili mposhti Mohamed Salah në garën për këtë nder.
Me sezonin 2025/26 në zhvillim, gara përfshin sërish një kombinim mes superyjeve të afirmuar dhe sulmuesve të rinj që po ngjiten në elitë.
Sistemi i “Këpucës së Artë Evropiane” bazohet në koeficientin e vështirësisë së çdo lige. Golat në kampionatet kryesore, si Premier League, La Liga dhe Bundesliga, shumëzohen me koeficientin 2.0; ligat e nivelit të mesëm me 1.5; ndërsa ligat më të ulëta me 1.0. Kjo bën që golat e shënuar në kampionatet më konkurruese të kenë peshë më të madhe në renditjen përfundimtare.
Më poshtë janë kandidatët kryesorë nga ligat me koeficient 2.0, që po formësojnë garën për golashënuesin më të mirë të Evropës.

1. Harry Kane | Bayern Munich | 36 gola
Harry Kane mbetet një nga sulmuesit më të kompletuar në Evropë. Ai është jo vetëm finalizues i jashtëzakonshëm, por edhe krijues i lojës, gjë që e mban vazhdimisht pranë kreut të renditjeve të golashënuesve.
Saktësia në goditje, aftësia për të shënuar nga çdo pozicion pranë zonës dhe lëvizjet e zgjuara e bëjnë ideal për stilin dominues të Bayern Munichut. Me përvojën dhe vazhdimësinë që ka, Kane është një nga sulmuesit më të besueshëm në Evropë dhe i aftë të shënojë 25 deri në 30 gola në çdo sezon.

2. Erling Haaland | Manchester City | 27 gola
Erling Haaland konsiderohet gjerësisht si standardi më i lartë i qendërsulmuesit klasik në futbollin evropian. Shpejtësia shpërthyese, fuqia fizike dhe finalizimi klinik e bëjnë kërcënim të vazhdueshëm në çdo garë për golashënues.
I mbështetur nga një skuadër si Manchester City, që krijon shumë raste, Haaland arrin rregullisht shifra të jashtëzakonshme si në kampionat, ashtu edhe në garat evropiane. Pozicionimi, mentaliteti i pamëshirshëm dhe aftësia për të shënuar edhe nga raste të vështira e bëjnë favorit të përhershëm për “Këpucën e Artë”.

3. Kylian Mbappé | Real Madrid | 24 gola
Kylian Mbappé sjell një kombinim të rrallë shpejtësie, inteligjence dhe finalizimi elitar. Qoftë kur luan në qendër të sulmit, qoftë kur zhvendoset nga krahu i majtë, ai gjen vazhdimisht mënyra për të shfrytëzuar hapësirat në mbrojtjet kundërshtare.
Në një Real Madrid me qasje sulmuese, shifrat e tij rriten edhe më shumë. Reputacioni për të qenë vendimtar në ndeshjet e mëdha e mban atë mes pretendentëve më seriozë në garën evropiane të golave.

4. Igor Thiago | Brentford | 22 gola
Igor Thiago është një sulmues i fuqishëm fizikisht dhe shumë energjik, profili i të cilit përshtatet mirë me ritmin e lartë të lojës së Brentfordit. Ai është i dobishëm në presing, në mbajtjen e topit dhe në sulmimin e krosimeve.
Forca, loja në ajër dhe përmirësimi para portës i kanë mundësuar të jetë konkurrues në një kampionat kaq kërkues si Premier League. Nëse vazhdon të përmirësojë qetësinë në finalizim, Thiago ka potencial për sezone me shumë gola.

5. Vedat Muriqi | Mallorca | 22 gola
Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, ka lënë gjurmë në Turqi dhe Itali përpara se të transferohej te Mallorca në sezonin 2021/22. Që prej atëherë, ai është kthyer në një nga pikat kryesore të skuadrës spanjolle në La Liga.
Muriqi njihet për forcën fizike, lojën në ajër dhe aftësinë për të qenë vendimtar në zonë. Me 22 gola, ai është pjesë e elitës së kësaj renditjeje dhe një nga emrat më të rëndësishëm për Mallorcan.

6. Esteban Lepaul | Angers & Rennes | 21 gola
Pas paraqitjeve të mira me Angers, Esteban Lepaul siguroi transferimin te Rennes dhe po zhvillon një nga sezonet më të mira personale të karrierës.
Ai ka treguar vazhdimësi para portës dhe ka arritur të përshtatet mirë me kërkesat e nivelit më të lartë në Francë.

7. Deniz Undav | Stuttgart | 19 gola
Ish-sulmuesi i Brightonit, Deniz Undav, ka shkëlqyer që nga rikthimi në Gjermani. Ai vazhdon të jetë një element shumë i rëndësishëm në repartin ofensiv të Stuttgartit.
Me lëvizje të zgjuara dhe finalizim të saktë, Undav ka konfirmuar se mund të jetë produktiv në një kampionat shumë konkurrues si Bundesliga.

8. Lautaro Martínez | Inter | 17 gola
Kapiteni dhe lideri i Interit, Lautaro Martínez, është prej vitesh një nga sulmuesit më të qëndrueshëm në Serie A. Ai zakonisht e mbyll çdo sezon me shifra dyshifrore golash.
Reprezentuesi argjentinas synon ta kalojë bilancin e sezonit të kaluar dhe të mbetet një nga emrat kryesorë në garën për golashënuesin më të mirë në Itali dhe Evropë.

9. Ante Budimir | Osasuna | 17 gola
Sulmuesi kroat Ante Budimir po përjeton një periudhë shumë të mirë në fazën e vonshme të karrierës. Ai ka vazhduar formën e shkëlqyer të sezonit të kaluar edhe në këtë edicion me Osasunën.
Përvoja dhe aftësia për të shfrytëzuar rastet në zonë e bëjnë një nga sulmuesit më të rrezikshëm në La Liga.

10. Serhou Guirassy | Borussia Dortmund | 17 gola
Pasi shkëlqeu fillimisht në Bundesliga me Stuttgartin, Serhou Guirassy u transferua te Borussia Dortmund dhe vazhdoi të shënojë me të njëjtin ritëm.


Ai është një sulmues i fuqishëm, i qetë para portës dhe i aftë të bëjë diferencën në ndeshje të rëndësishme.

11. Donyell Malen | Aston Villa & Roma | 17 gola
Reprezentuesi holandez Donyell Malen kontribuoi me katër gola në Premier League për Aston Villan këtë sezon, përpara se të gjente ritmin e duhur në Serie A.
Shpejtësia, lëvizjet në hapësirë dhe aftësia për të luajtur në disa pozicione sulmuese e kanë ndihmuar të mbetet produktiv.

12. Lamine Yamal | Barcelona | 16 gola
Lamine Yamalit iu desh pak kohë për të hyrë në ritëm këtë sezon, por talenti i Barcelonës tashmë po merr përgjegjësi më të madhe në repartin ofensiv.
Pavarësisht moshës së re, ai ka treguar pjekuri, kreativitet dhe efikasitet para portës, duke kontribuar me gola të rëndësishëm për katalanasit.

13. Patrik Schick | Bayer Leverkusen | 16 gola
Sulmuesi çek është ngjitur në renditje falë një serie të jashtëzakonshme prej nëntë golash në gjashtë ndeshje në elitën e futbollit gjerman.
Schick ka rikthyer formën e tij më të mirë dhe mbetet një nga finalizuesit më të rrezikshëm të Bayer Leverkusenit.

14. Joaquín Panichelli | Strasbourg | 16 gola
Joaquín Panichelli po rritet shpejt si një nga golashënuesit më premtues në Ligue 1. Ai shquhet për parashikimin e mirë të situatave, finalizimin e mprehtë dhe etikën e lartë të punës.
Lëvizjet e tij në vijën e sulmit i lejojnë të shfrytëzojë hapësirat në mbrojtjet kundërshtare, ndërsa qetësia në momentet vendimtare tregon një pjekuri të madhe. Strasbourg po i ofron platformën e duhur për zhvillim, dhe Panichelli po e shfrytëzon më së miri.

15. Ferran Torres | Barcelona | 16 gola
Ferran Torres nuk ka ndërmend të dorëzojë lehtë vendin në sulmin e Barcelonës. Reprezentuesi spanjoll është futur fuqishëm në bisedën për golashënuesit më të mirë të Evropës.
Një nga momentet më të spikatura të sezonit të tij ishte tregolëshi në pjesën e parë ndaj Real Betisit në transfertë, me të cilin dha një mesazh të qartë se mund të jetë një armë shumë e rëndësishme në repartin ofensiv të Barcelonës.

16. Mason Greenwood | Marseille | 16 gola
Mason Greenwood ofron një kombinim të veçantë teknike, kreativiteti dhe instinkti natyral për gol. Ai është i rrezikshëm me të dyja këmbët dhe mund të godasë nga pozicione të ndryshme.
Aftësia për të krijuar vetë raste, por edhe për të shfrytëzuar shërbimet e shokëve të skuadrës, e bën një kërcënim të vazhdueshëm në Ligue 1. Me shumëanshmërinë dhe inteligjencën në sulm, Greenwood është i aftë të arrijë shifra të larta golash gjatë një sezoni.

17. Vinícius Jr | Real Madrid | 16 gola
Ka qenë një sezon i trazuar për Real Madridin dhe për anësorin brazilian, por Vinícius Jr ka arritur sërish të kontribuojë me një numër të rëndësishëm golash.
Shpejtësia, driblimi dhe aftësia për të vendosur ndeshje individualisht e mbajnë atë ndër lojtarët më të rrezikshëm në Evropë.

18. Antoine Semenyo | Bournemouth & Manchester City | 16 gola
Reprezentuesi i Ganës, Antoine Semenyo, ka qenë një forcë e vërtetë në Premier League në sezonet e fundit. Ai e ka vazhduar formën e mirë edhe në edicionin 2025/26.
Me fizik të fortë, intensitet dhe aftësi për të sulmuar hapësirat, Semenyo është kthyer në një emër që mbrojtjet kundërshtare duhet ta marrin shumë seriozisht.

19. Luis Díaz | Bayern Munich | 15 gola
Ish-sulmuesi i Liverpoolit, Luis Díaz, e nisi vrullshëm aventurën në Mynih dhe ka marrë përsipër një pjesë të barrës së golave krahas Harry Kane.
Kolumbiani sjell energji, teknikë dhe rrezik të vazhdueshëm nga krahu, duke u bërë një armë e rëndësishme për Bayern Munichun.

20. João Pedro | Chelsea | 15 gola
Sulmuesi brazilian i Chelseat ka qenë një nga lojtarët më të qëndrueshëm të skuadrës londineze këtë sezon. Ai ka kontribuar si me gola, ashtu edhe me asistime, duke fituar besimin e tifozëve në “Stamford Bridge”.
Me lëvizjet inteligjente dhe aftësinë për të lidhur lojën, João Pedro është bërë pjesë e rëndësishme e projektit ofensiv të Chelseat.

21. Michael Olise | Bayern Munich | 15 gola
Anësori francez ka qenë sensacional për Bayern Munichun që nga transferimi nga Crystal Palace. Pas çmimit si “Rookie of the Year” në Bundesliga në sezonin debutues, ai u shpall edhe “Lojtari i Sezonit” në kampionat, teksa Bayerni marshoi drejt një tjetër titulli në sezonin 2025/26.
Olise ka sjellë kreativitet, gola dhe elegancë në lojën sulmuese të gjigantit gjerman, duke e mbyllur listën e 21 emrave kryesorë në këtë garë.



Të tjera
Nuk vonon, barazon Ferizaj ndaj Dukagjinit në finale
Gara për Këpucën e Artë, ja ku pozicionohet Vedat Muriqi
Raporti policor për incidentin me eskortën e Kurtit në Skenderaj