Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për Fatmir Shehollin, të dyshuar për spiunazh kundër shtetit.
Gjatë ditës, në Themelore u mbajt seanca dëgjimore ndaj Shehollit, pasi paraprakisht Prokuroria Speciale e Kosovës kërkoi që ai të dërgohet në paraburgim derisa autoritetet të kryejnë hetime ndaj tij.
Sheholli u arrestua të enjten në rrethin e Prishtinës pas hetimeve disamujore kundër tij.
Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, tha të enjten, pas arrestimit, se Sheholli ka pasur “hapësira të pakufizuara” në mediat e Kosovës, dhe se ai ka “bashkëpunuar me aktorë që çdo ditë punojnë e veprojnë për të minuar Republikën tonë dhe progresin e saj”.
“Mbesim të përkushtuar të mbrojmë vendin tonë nga të gjitha qarqet që nuk hezitojnë ta rrezikojnë atë për çfarëdo përfitimi të tyre. Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar. Kushdo që punon për Serbinë e kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis e pandalshëm”, shkroi Sveçla në Facebook.
Policia e Kosovës kreu bastisje në vendbanimin e të dyshuarit të enjten.
Së voni, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar, akuzuar e gjykuar serbë e shqiptarë nën dyshimet se po spiunonin për shërbimet e inteligjencës së Serbisë.
Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat se kishin dhënë informacione tek BIA serbe për disa institucione të sigurisë në Kosovë, për UÇK-në dhe masakrën e Reçakut.
Në një rast tjetër po gjykohet edhe serbja Jellena Gjukanoviqit, e cila akuzohet për spiunazh për inteligjencën serbe. Ajo e ka mohuar fajësinë.
Në Kosovë, spiunazhi përkufizohet si aktivitetet sekret i mbledhjes, transmetimit ose shpërndarjes së informacionit të ndjeshëm në një shtet, organizatë ose grup tjetër.
Ekspertët kanë thënë se spiunazhi është kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës dhe arrestimet e fundit vetëm sa nxjerrin në pah rrezikun e vazhdueshëm.
Sipas tyre, ky aktivitet jo vetëm që destabilizon vendin brendapërbrenda, por dëmton edhe pozitën e tij ndërkombëtare.
Ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Burim Ramadani, e konsideron spiunazhin si një prej kërcënimeve kryesore të sigurisë kombëtare në vend. / REL
Të tjera
Vaj ulliri, vezë dhe avokado për flokë me shkëlqim
Koalicioni në Vushtrri, LDK reagon: Veprim i paautorizuar
Kurti takon përfaqësuesit e Ericsson, temë modernizimi i rrjetit 4G dhe 5G