Supremja vendos për rastin e parë të dënimit për dhunim seksual gjatë luftës

Gjykata Supreme iu referohet gabimisht neneve të Kushtetutës në aktgjykimin për arkat fiskale, e largon nga web faqja vendimin!

Me 25 qershor të këtij viti  Gjykata Supreme nxori aktgjykim për rastin e arkave fiskale dhe konstatoi se ministri në detyrë Hekuran Murati kishte nxjerr udhëzimin administrativ kundërligjshëm duke qenë se ai mban poziten e deputetit ku sipas Gjykatës Supreme kjo bie në kundërshtim me nenet e Gjykatës Kushtetuese.

Ky vendim i Gjykatës Supreme shkaktoi përplasje të ashpra në mes pozitës dhe opozitës, ministri në detyrë Hekuran Murati duke përmendur emrat e gjyqtarëve e quajti absurd vendimin e Gjykatës Supreme .

Sot Gjykata Supreme, me gjykatës Delushe Halimi, Lumni Sallauka, dhe Franciska Zhitija-Ymeri, paska vendosur që Udhëzimi Administrativ për arka fiskale digjitale të shfuqizohet.

Ky vendim absurd i Gjykatës Supreme nënkupton ndërprerje të procesit të digjitalizimit, dhe vazhdim të zhvatjes së bizneseve përmes kostove enorme për arkat e vjetra fiskale” tha ndër të tjera Murati në reagimin e tij.

Por në fakt sipas hulumumtimit të KosovaNews vendimi i Gjykatës Supreme del të jetë vërtetë një absurditet juridik

Në arsyetimin e këtij vendimi në mes të tjerash Gjykata Supreme në pikën IV faqe 9, 2 herë me radhë  ju ka referuar gabimisht nenit 71  të Kushtetutës së Kosovës ku ndër të tjera thotë se : Ministri i Financave ka qenë në pozitë të papajtueshme funksionale në kohën e nënshkrimit, duke qenë i certifikuar si deputet në shkelje të neneve 70.2 dhe 71 të Kushtetutës, të cilat ndalojnë ushtrimin paralel të funksioneve ekzekutive dhe legjislative, si dhe parimin e ndarjes dhe kontrollit të pushteteve të përcaktuar në Kushtetutë”

 

 

Megjithatë, një analizë më e thelluar e këtij rasti zbulon një gabim të rëndë procedural dhe përmbajtësor nga vetë organi më i lartë gjyqësor i vendit. Neni 71 i Kushtetutës, në fakt, nuk ka asnjë lidhje me kufizimet funksionale të deputetëve apo ndalimin e mbajtjes së pozitave ekzekutive, sikurse pretendon vendimi i Gjykatës.

Dispozita e duhur në këtë rast është neni 72 i Kushtetutës, i cili trajton çështjen e papajtueshmërisë së funksioneve publike ndërsa neni 71 i Kushtetutës së cilit i është referuar gabimisht Gjykata Supreme flet për të drejtën e kandidimit dhe barazisë gjinore.

Pas zbulimit të këtij skandali KosovaNews  ka dërguar pyetje zyrtare në Gjykatën Supreme  dhe ka kërkuar sqarime.

Gjykata Supreme sot u është përgjigjur pyetjeve të KosovaNews dhe ka konfirmuar gjetjet tona, duke konfirmuar gabimin në referencë dhe kanë pranuar se vendimi i tyre është korrigjuar me një aktvendim të posaçëm, duke bërë referimin e saktë në nenin 72 të Kushtetutës.

“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojme se Gjykata Supreme sipas detyrës zyrtare, jashtë seances, më datë 16 korrik 2025, ka përmirësuar me aktvendim të posaçëm gabimin teknik të lëshuar me rastin e përpilimit të aktgjykimit PA.nr.09/2025.

Sipas pikës -I- të këtij aktvendimi korrigjohet pjesa në arsyetimin e aktgjykimit, ku është cituar neni 71, i cili është shënuar gabim, ndërsa në vend të tij duhet të jetë neni 72 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës” ka thënë  në përgjegjen e saj zëdhënsja e Gjykatës Supreme Antigona Uka-Lutfiu.

Deri në ditën e djeshme pra me  datë 22 korrik aktgjykimi PA.nr.09/2025 i Gjykatës Supreme ishte i publikuar në web faqen e Gjykatës Supreme ndërsa sot vendimi i mësipërm është hequr nga web faqja!

Ky rast ngre pikëpyetje serioze për kompetencën dhe kujdesin profesional të institucioneve gjyqësore në vend, veçanërisht kur bëhet fjalë për interpretime kushtetuese që prekin balancën mes pushteteve dhe integritetin institucional. Një gabim i tillë, i kryer nga trupi më i lartë gjyqësor në vend, minon besimin e qytetarëve në drejtësi dhe rrezikon sigurinë juridike, sidomos në vendime që prekin funksionarë të lartë shtetërorë.

Rasti i Gjykatës Supreme nuk është vetëm një lapsus teknik – është një simptomë e një problemi më të thellë në funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe përgjegjshmërisë së tij ndaj qytetarëve dhe ligjit.