Artan Grubi, ish-zëvendëskryeministër i parë, do të qëndrojë në arrest shtëpiak në kuadër të hetimeve për rastin e Lotarisë Shtetërore, ku ai dyshohet së bashku me edhe pesë persona të tjerë.
Vendimi për zëvendësimin e paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak vjen pasi mbrojtja e tij kërkoi një masë më të butë sigurie, ndërsa organi i akuzës dha pëlqimin për këtë propozim.
Sipas njoftimit të Prokuroria Themelore Publike Shkup, i dyshuari i dytë në këtë rast është paraqitur vullnetarisht pranë organeve të ndjekjes dhe ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim me institucionet kompetente.
Me kërkesë të tij, përmes mbrojtjes, ai është paraqitur para prokurorit kompetent ku ka nisur këqyrjen e shkresave të lëndës. Për shkak të vëllimit të madh të materialit provues, këqyrja do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, pas së cilës atij do t’i mundësohet të japë mbrojtjen e tij.
Në lidhje me masat e sigurisë, Prokuroria ka propozuar arrest shtëpiak dhe konfiskimin e dokumentit të udhëtimit, duke vlerësuar se pjesa më e madhe e provave tashmë është siguruar dhe se i dyshuari është paraqitur vullnetarisht. Gjithashtu, sipas njoftimit, ekzistojnë indikacione se në repartin e paraburgimit nuk mund të garantohet siguria e tij personale, si dhe ka rrezik potencial për sigurinë e anëtarëve të familjes së tij.
Procedura ndaj Grubit do të vazhdojë deri në marrjen e një vendimi përfundimtar prokurorial./shenja.tv



Të tjera
Thaçi nga Haga: Më është mbyllur goja për të folur dhe më janë lidhur duart për të shkruar
Kurti nga Jerevani: Anëtarësimi në BE dhe në NATO, garanci për stabilitetin e Kosovës
Ata që hanë ushqim djegës çdo ditë rrezikohen nga dementia