Guardiola zbulon arsyen e çuditshme pse rinovoi kontratën me Man Cityn

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, mbrëmë vonë ka zgjatur kontratën me klubin anglez edhe për dy vite, teksa ka treguar edhe arsyen e rinovimit.

Kanë kaluar tetë vjet që kur trajneri katalunas mori drejtimin e Manchester Cityt dhe nënshkrimi i një zgjatjeje dyvjeçare të bashkëpunimit i garanton atij të paktën një dekadë punë në të cilën ai e drejtoi skuadrën në majat e futbollit evropian dhe botëror.

Guardiola ka fituar 18 trofe zyrtarë deri më tani, duke përfshirë gjashtë tituj të Ligës Premier dhe trofeun e Ligës së Kampionëve. Sezonin e kaluar ai bëri histori me skuadrën duke u bërë skuadra e parë në historinë e futbollit anglez me katër tituj radhazi.

Katalunasi tashmë ka zgjatur bashkëpunimin me Cityn pas turbulencave të shumta. Në një moment u duk sikur do të largohej, por ai vendosi të qëndronte në stolin e klubit.

53-vjeçari ka zbuluar edhe arsyen e çuditshme pse vendosi të rinovojë kontratën me klubin nga Etihad.

“Pse qëndrove? Epo, ndjeva se nuk mund të largohesha tani. Është kaq e thjeshtë”, ka thënë fillimisht Guardiola.

“Mos më pyet arsyen pse. Ndoshta katër humbjet ishin arsyeja pse ndjeva se nuk mund të largohesha…”, përfundoi trajneri katalunas.