Hamza kërkon votën në Malishevë, premton rritje pagash dhe pensionesh

Hamza kërkon votën në Malishevë, premton rritje pagash dhe pensionesh

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur tubim në Malishevë, ku ka prezantuar edhe vizionin e saj qeverisës. Kandidati i kësaj partie për kryeministër, Bedri Hamza, derisa u kërkoi votën banorëve të kësaj komune, u zotua për rritje të pagave dhe pensioneve, zhvillim ekonomik, investime në mbrojtje dhe njohje të reja të Kosovës.

Para banorëve të Malishevës, Partia Demokratike e Kosovës ka shpalosur programin e saj qeverisës, me ç’rast ka kërkuar mbështetje për kandidatin e saj për kryeministër, Bedri Hamza.

Zotimet e para të PDK-së janë: stabiliteti shtetëror, zhvillimi ekonomik, paga më të larta dhe një jetë më e mirë për qytetarët. Hamza u zotua gjithashtu për njohje të reja ndërkombëtare dhe investime në mbrojtje.

“Në drejtësi nuk do të ketë ndërhyrje politike, do të ketë më shumë prokurorë dhe gjyqtarë. Sa i përket diplomacisë dhe sigurisë, Kosova do t’i ngrisë kapacitetet për të qenë e mbrojtur nga çdo lloj sulmi. Në aspektin e diplomacisë do të ketë njohje të reja”, tha Bedri Hamza, kandidat për kryeministër nga PDK.

Tutje, Hamza tha se lista e PDK-së përmban njerëz të kualifikuar nga fusha të ndryshme, të cilët do të punojnë për realizimin e programit të tyre.

“Ne garojmë para qytetarëve me një ekip të jashtëzakonshëm, me një listë që përmban njerëz me kualifikimet më të larta nga fusha të ndryshme. Vajza dhe djem, gra e burra shumë të zotë. Shtylla e parë e programit tonë është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik. Pa sektor privat të zhvilluar nuk mund të ketë shtet të zhvilluar”, tha ai.

Malisheva përfaqësohet nga gjashtë kandidatë për deputetë në listën e PDK-së./rtk