Haradinaj: Jemi të gatshëm të japim zgjidhje

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj deklaroi se presidentja Vjosa Osmani duhet t’i ftojë partitë parlamentare në takim. Ai tha se janë të gatshëm që të japin zgjidhje, meqë sipas tij kjo situatë e krijuar është e pakuptimtë.

Para fillimit të seancës, Haradinaj u shpreh se duhet të ketë diskutim.

“Ne jemi të gatshëm që t’i japim zgjidhje në rast se do të jenë dy emra të tjerë të mazhorancës, por sido që të jetë i takon mazhorancës që të jap një zgjidhje se duket që kështu do të shkojë deri në pafundësi. Më mirë do të ishte me u ulë edhe me bisedu edhe me i dhënë një zgjidhje. Ne kemi thënë që edhe presidentja duhet t’i ftojë, me bisedu edhe me gjet një zgjidhje”, u shpreh ai.

“Kjo situatë çfarë është krijuar do të ishte shumë e rrugës që presidentja t’i fton partitë parlamentare, aty të gjendet një zgjidhje dhe brenda seancës t’i jepet një drejtim. Për shkak se edhe kjo formë si po ndodhë nuk është fort që po i jep imazh të mirë Kuvendit. Shihet që gjithë deputetët janë në depresion për shkak se nuk ka atmosferë pune dhe më mirë do të ishte me i dhënë një drejtim dhe jo kështu”, shtoi Haradinaj.

Ai nuk foli për emra, derisa u pyet nëse janë pro propozimit që Glauk Konjufca të jetë kryeparlamentar.

“Nominimi i Albulenës duket që nuk ka qenë shumë i qëllimshëm për të bërë zgjidhje, por më shumë ad-hoc sa për të hyrë në këtë bllokade. Ta shohim tash, nuk po flasim për emra, jemi për t’i dhënë zgjidhje sa më shpejt që është e mundur sepse është e pakuptimtë në çfarë situate jemi”, përfundoi ai.