Haxhiu: Armend Muja foli katër minuta në telefon me Radojçiqin, iu drejtua serbisht me fjalët “vëlla”

Gazetari Baton Haxhiu pretendon se edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka biseduar me kryekriminelin Milan Radojçiq; dhe atë mbi katër minuta.

Pretendimi i Haxhiut:

Në një bisedë telefonike mbi katër minuta, Armend Muja, deputet i rëndësishëm i Lëvizjes Vetëvendosje, i drejtohet kriminelit të njohur Milan Radojčić me përshëndetjen vëllazërore “brate”. Radojčić, në kthim, përgjigjet me të njëjtën ngrohtësi: “hajde hajde brate”.

Në këtë bisedë, Muja përpiqet ta bindë Radojčićin të ndërmarrë hapa për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, duke i theksuar se qeveria e Kosovës po përballet me kritika nga bashkësia ndërkombëtare për këtë çështje. Përmes kësaj përpjekjeje, Muja e trajton Radojčićin si një faktor vendimtar në zgjidhjen e krizës politike.

Skandali arrin përmasa më të mëdha kur vetë Radojčić, përmend autostradën e veriut dhe rëndësinë e përfshirjes së tij në proceset e prokurimit si një ndër kushtet për kthimin e serbëve në institucione. Në vend që ta refuzojë ose ta kundërshtojë këtë kërkesë të papërshtatshme, Muja vazhdon të komunikojë pa asnjë hezitim.

Ajo që e bën këtë komunikim edhe më tronditës është momenti kur Radojčić, në një shenjë ironie dhe sfide, fillon t’i flasë deputetit Muja në gjuhën shqipe, ndërsa Muja, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje ndaj kriminelit, i përgjigjet në gjuhën serbe.

Ky komunikim është më shumë sesa një moment i rëndomtë politik. Ai zbulon një raport të dyshimtë midis një deputeti të Kosovës dhe një krimineli të sanksionuar, i cili ka luajtur një rol kyç në destabilizimin e rajonit dhe sabotimin e institucioneve të Kosovës. Ky është realiteti me të cilin duhet të përballet Armend Muja dhe gjithë ata që mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre publike.

Kjo nuk është 99% e vërtetë – është 100% e vërtetë.