​Haxhiu: E kam ofruar pozitën e kryeparlamentares që të mos shkojmë në zgjedhje

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka theksuar se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, duke bërë thirrje për intensifikim të përpjekjeve mes partive politike për arritjen e një marrëveshjeje lidhur me zgjedhjen e presidentit, raporton KosovaPress.

Ajo tha se ka qenë e gatshme të lirojë pozitën e kryetares së Kuvendit të Kosovës konsensus, vetëm që të ketë zgjidhje për presidentin.

“Unë i pashë me shqetësim deklarimet e subjekteve opozitare që thoshin që kjo temë tashmë është e mbyllur. Si ka mundësi që të jetë tema e mbyllur për sa kohë ne kemi afat deri më, praktikisht, më 27 prill? Prandaj mendoj që me këtë qasje nuk po tregohet përkushtim, nuk po tregohet vullnet që vendit t’ia japim një president me mandat pesëvjeçar, dhe mua po më duket si dëjë vu. Domethënë, nëse flasim për situatën aktuale, e krahasojmë me atë çfarë ka ndodhur në vitin e kaluar, duket situatë e njëjtë. Por mendoj që duhet të ketë reflektim, sepse qytetarët kanë dhënë mesazhin e tyre më 28 dhjetor. Ata përmes votës së tyre kanë treguar se kë e bënë përgjegjës për bllokadën e për mungesën e vullnetit e të tjera si këto. Prandaj, duke pasur parasysh që i kemi edhe disa ditë para vetes, përkatësisht pesë-gjashtë ditë para vetes, mendoj që është shumë e rëndësishme që të rikthehen takimet, që të shtohet vullneti, të dëshmohet po ashtu vullneti, sepse nuk mund të ketë marrëveshje pa takime dhe nuk mund të ketë marrëveshje nëse mungon vullneti nga palët.”, tha Haxhiu.

“Unë kam ofruar edhe pozitën e kryetares së Kuvendit, sepse çka më duhet pozita e kryetares së Kuvendit nëse dikush e kërkon këtë dhe nëse kjo e parandalon zgjedhjet e jashtëzakonshme. Por mendoj që mungesa dhe refuzimi i të gjitha propozimeve, ofertave që kryeministri Kurti i ka bëre në drejtim të partive opozitare, PDK-së dhe LDK-së, mendoj që nuk i ndihmon vendit. Ne nuk i frikësohemi zgjedhjeve, por mendoj që nuk ka të bëjë kjo me kush është më trim e kush është më i guximshëm, por a janë zgjedhjet në interes të qytetarëve. Ne mendojmë, unë personalisht mendoj, që nuk janë në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Se a do të jem në listën e kandidatëve për deputetë, për këtë vendos kryesia e Vetëvendosjes, por që ligjërisht nuk është e ndaluar”, tha ajo.

Në lidhje me negociatat për postin e kryetares së Kuvendit, Haxhiu tha se është e koordinuar me lidershipin e saj dhe se çdo lëvizje që ndihmon në shmangien e zgjedhjeve është e mirëseardhur.

Në fund, ajo ritheksoi se zgjidhja duhet të vijë përmes dialogut dhe takimeve mes partive, duke nënvizuar se mungesa e vullnetit politik mbetet pengesa kryesore për tejkalimin e krizës aktuale institucionale në Kosovë. /Kp/