Haxhiu: Kuvendi duhet të jetë efikas për zgjedhjen e presidentit dhe ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

Haxhiu: Kuvendi duhet të jetë efikas për zgjedhjen e presidentit dhe ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së Kryesisë ka deklaruar se Kuvendi duhet të veprojë efikas për shkak të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, duke përfshirë në rend dite edhe katër marrëveshje ndërkombëtare që nuk u ratifikuan në seancën e kaluar për shkak të mungesës së kuorumit.

“Për shkak të një afati kushtetues në raport me zgjedhjen e presidentit apo presidentes, mendoj që Kuvendi duhet të jetë efikas dhe t’i adresohet përgjegjësive që ka para vetes. Në këtë drejtim, përveç deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, në rend dite kam paraparë edhe disa pika që ndërlidhen me katër marrëveshje ndërkombëtare,” tha Haxhiu.

Ajo ka folur edhe për rezolutën e PDK-së, e cila u propozua të jetë pika e parë e rendit të ditës në seancën e së premtes.

Sidoqoftë, për shkak të mungesës së dakordësisë mes grupeve parlamentare, rendi i ditës nuk u miratua.

Haxhiu gjithashtu përmendi tema të tjera që do të trajtohen, përfshirë votimin e propozim-rezolutës për rritjen e çmimeve të naftës, zgjedhjen e një anëtari jo-prokuror në Këshillin Prokurorial të Kosovës, shqyrtimin e propozim-rezolutës për mbrojtjen e vlerave historike të luftës në Kosovë 1998–1999 dhe disa emërime në komisionet parlamentare.

“Unë bëra përpjekje maksimale për të gjetur konsensus, por nuk pati dakordim mes grupeve parlamentare për renditjen e pikave. Nëse do të kishte konsideratë ndaj propozimit tim, rezoluta nuk do të ishte çështje e diskutueshme dhe do të miratohej në seancën e ardhshme,” tha Haxhiu.