Një dron i paidentifikuar është konfiskuar nga njësitë policore të dielën rreth orës 19:20 në pyllin e fshatit Muqibabë.
Sipas autoriteteve, droni fillimisht është vërejtur nga banorët e zonës, të cilët kanë njoftuar policinë.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë sekuestruar pajisjen.
Lidhur me rastin, Radio Dukagjini ka kërkuar përgjigje nga KFOR nëse droni i konfiskuar ka qenë pjesë e operacioneve të këtij misioni apo nëse kanë pasur informacione paraprake për lëvizjen e tij në territorin e Kosovës.
Në një përgjigje zyrtare KFOR ka bërë të ditur se hetimi për rastin aktualisht është në përgjegjësinë e Policia e Kosovës.
“Hetimi aktualisht është nën përgjegjësinë e Policisë së Kosovës. Për pyetje të mëtejshme, ju lutemi kontaktoni Policinë e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
Nga ky mision gjithashtu është theksuar se do të vazhdohet të mbahet kontakt i ngushtë me njësitë në terren dhe me autoritetet përkatëse, në rast se paraqiten zhvillime të reja lidhur me këtë rast.



Të tjera
Kjo ngjyrë është trend kryesor në vjeshtë
Po bie shi i përzier me naftë në Iran
Diskutuam pasivizimin e adresave të shqiptarëve