Shqiptarët i japin sot lamtumirën e fundit shkrimtarit të mirënjohur Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë në moshën 88 vjeçare, mëngjesin e 1 korrikut.
Personalitete të shumta të artit, kulturës të politikës shqiptare dhe kosovare, si edhe diplomatë të huaj po nderojnë kolosin e letrave shqipe Ismail Kadare. Homazhet kanë nisur në orën 9:00 në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Të veshura me të zeza e me lot në sy bashkëshortja Helena Kadare dhe dy bijat Gresa dhe Besjana presin ngushëllimet e një kortezhi të vazhdueshëm personalitetesh shtetërore, por edhe një numër i konsiderueshëm qytetarësh të thjeshtë. Pak metra më tutje është vendosur libri i ngushëllimeve dhe një foto e madhe e Ismail Kadaresë.
Në nder të Kadaresë sot Shqipëria dhe Kosova janë në zi, ndërsa në dy vendet flamujt janë ulur në gjysmështizë.
Në ceremoni ishin të pranishëm dhe ish-presidentët Rexhep Mejdani dhe Alfred Moisiu, kreu i Kuvendit të Republikës së Kosovës Glauk Konjufca, 40 deputetë nga Kuvendi i Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
Ndërkohë homazhe kanë kryer edhe Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj dhe kryeministri Edi Rama.
Të pranishëm ishin gjithashtu dhe deputetë të Kuvendit, si dhe personalitetet të tjerë nga bota e artit dhe kulturës nga e gjithë bota shqiptare.
Në orën 13.00 çdo veprimtari do të ndërpritet dhe do të mbahet një minutë heshtje në nder të kolosit të letrave shqipe.
Lindur më 28 janar 1936 Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm; Gjuhë – Letërsi në Tiranë, më pas dy vjet vjet studime në Moskë në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki”, Kadare është përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë dhe përkthyer në 45 gjuhë. Vitet e fundit i ndau mes Francës dhe Shqipërisë.
Shkrimtari së fundmi mori dekoratën më të lartë franceze, më 1 janar 2020, nga Presidenti i Francës, Macron, “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin “Man Booker International” më 2005, çmimin “Princesa de Asturias” për Artet më 2009 dhe Çmimin “Jeruzalem” më 2015. Autor i 71 veprave, ai shquhet kryesisht për prozë, por me kontribut edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime.
Të tjera
Gjykata Speciale: Haxhi Shala dënohet me tri vjet burgim, Januzin dhe Bahtijarin me nga dy vjet
Xheneta: Jam e lënduar, ndjenjat e Gjestit nuk kanë qenë të sinqerta – nuk do të hyj e as nuk do të përballem me të në Big Brother Albania
Xheneta Fetahu thyen heshtjen, flet për herë të parë pas daljes nga Big Brother: Kam qenë e vërtetë, edhe pse kam bërë gabime