Screenshot 17 8 780x439

Hyn në fuqi ligji i ri gjerman që lehtëson rrugën drejt shtetësisë së dyfishtë – ja çfarë tjetër përmendet aty

Një ligj i debatuar gjatë për shtetësinë hyri në fuqi në Gjermani të enjten, duke lehtësuar rrugën drejt pasaportës gjermane, duke përfshirë edhe lehtësimin e mbajtjes së shtetësisë së dyfishtë.

Reforma e natyralizimit e paraqitur nga qeveria e koalicionit trepartiak të qendrës së majtë të Gjermanisë i lejon njerëzit “të bëhen gjermanë” duke ruajtur shtetësinë e tyre origjinale, shkruajnë mediat e huaja.

Tashmë njerëzit mund të aplikojnë për shtetësi pasi të kenë jetuar në Gjermani për pesë vjet, në vend të kushtit të mëparshëm prej tetë vjetësh, me kusht që të plotësojnë të gjitha kushtet.

Fëmijëve të lindur në Gjermani nga prindër nga jashtë do t’u jepet gjithashtu shtetësia gjermane nëse njëri prind ka qenë rezident i ligjshëm në Gjermani për pesë vjet dhe jo për tetë vjet.

Madje, nëse aplikantët demonstrojnë “arritje të veçanta integrimi” përmes performancës veçanërisht të mirë në shkollë, punë ose angazhim qytetar, ata mund të jenë në gjendje të natyralizohen pas vetëm tre vjetësh.

Një aspekt i rëndësishëm i rregullit të ri është se njerëzit që marrin shtetësinë gjermane nuk do të duhet të heqin dorë nga shtetësia e vendit të tyre të lindjes, e cila më parë ishte e mundur vetëm për banorët nga vendet e tjera të BE-së në Gjermani.

Po kështu gjermanët që dëshirojnë të bëhen shtetas të një vendi tjetër nuk do të kenë më nevojë për autorizim të veçantë nga autoritetet gjermane. Më parë, pa autorizim, ata do të kishin humbur shtetësinë gjermane nëse do të merrnin një tjetër.