Një person i armatosur është qëlluar për vdekje të dielën në mëngjes, pasi hyri në perimetrin e sigurt të shtëpisë së Trump në Mar-a-Lago, Florida. Incidenti ka ndodhur rreth orës 1:30, kur një person, ende i paidentifikuar, i moshës rreth 20 vjeçare, ka kaluar përmes masave të sigurisë dhe është futur në perimetrin e pronës private të presidentit Trump.
Sipas autoriteteve, burri ka qenë i armatosur me një pushkë gjahu dhe ka mbajtur me vete edhe një bidon karburanti. Në momentin e përballjes me autoritetet, agjentët e Shërbimit Sekret të SHBA-së dhe një zëvendës i Zyrës së Sherifit të Qarkut Palm Beach e kanë urdhëruar burrin të hedhë sendet që kishte në duar.
Pavarësisht urdhrave të tyre, burri ka ngritur pushkën në pozicionin e qitjes, duke rrezikuar jetën e agjentëve. Për pasojë, agjentët dhe zëvendësi i sherifit kanë qëlluar dhe kanë shpallur burrin të vdekur në vendngjarje.
Pas ngjarjes, FBI ka marrë drejtimin e hetimeve për të zbuluar motivin dhe identitetin e burrit, si dhe për të hetuar të kaluarën e tij. Emri i tij do të mbahet sekret deri sa të njoftohet familja për ngjarjen tragjike.
Një hetim i detajuar është duke u zhvilluar, duke përfshirë shqyrtimin e kamerave të sigurisë të zonës. Shërbimi Sekret dhe autoritetet lokale kanë kërkuar gjithashtu nga banorët e zonës që të kontrollojnë kamerat e tyre të jashtme dhe të njoftojnë policinë nëse vërejnë diçka të dyshimtë që mund të lidhet me incidentin.
Autoritetet kanë bërë të ditur se asnjë agjent i zbatimit të ligjit nuk ka pësuar lëndime gjatë këtij përballimi.
Në kohën e incidentit, Presidenti Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump, ishin në Shtëpinë e Bardhë në Washington, D.C./rtsh



Të tjera
Si ndikon emri në profesionin tuaj
Këto perime dhe fruta nuk duhet t’i mbani bashkë
Keni probleme me gjumë? Këto janë ushqimet që po ju mbajnë zgjuar natën