Zlatan Ibrahimović beson se nuk ka më vend për debate sa i përket lojtarit më të madh në historinë e futbollit, pasi Lionel Messi vazhdon të thyejë rekorde me Argjentinën në Kupën e Botës 2026.
Kapiteni argjentinas shënoi dy gola në fitoren 2-0 ndaj Austrisë, duke ndihmuar kampionët në fuqi të sigurojnë kualifikimin në fazën e eliminimit direkt dhe duke u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e Botërorit me 18 gola.
“Nuk ka më debat”
Ibrahimovic, ish-sulmuesi i Barcelonës dhe Milanit, tha se arritjet e fundit të Messit e kanë mbyllur përfundimisht debatin për lojtarin më të madh të të gjitha kohërave.

“Nuk mendoj se ka mbetur më ndonjë debat. Kur bëhesh golashënuesi më i mirë në historinë e Kupës së Botës, e fiton turneun, dominon në gjenerata të ndryshme dhe vazhdon të luash në këtë nivel në moshën 38-vjeçare, çfarë tjetër duan njerëzit?”, tha ai për FOX Sports.
“Kemi kaluar vite duke e krahasuar me të tjerët, por edhe legjendat e mëdha nuk mund ta arrijnë atë që ka bërë Messi. Pelé, Diego Maradona, Johan Cruyff apo kushdo tjetër që dëshironi të përmendni kanë qenë të jashtëzakonshëm, por numrat, jetëgjatësia dhe trofetë e Messit e vendosin atë në një kategori më vete.”
“Pesë gola në dy ndeshje, thjesht i pabesueshëm”
Messi ka nisur në mënyrë fantastike Botërorin, duke realizuar pesë gola në dy ndeshjet e para. Ai shënoi het-trik ndaj Algjerisë dhe më pas dy herë kundër Austrisë.
Ibrahimovic bëri edhe një krahasim me humor me karrierën e tij në Botëror.
“Pesë gola në dy ndeshje. Unë kam zero gola në dy Kupa Bote”, tha suedezi duke qeshur.
“Jam i lumtur për të dhe shpresoj të vazhdojë kështu. Ka ditëlindjen pas pak ditësh, ndaj le ta shijojë këtë moment. Në fakt, të gjithë po e shijojmë duke e parë të luajë. Është i jashtëzakonshëm, thjesht i jashtëzakonshëm. Nuk kam fjalë.”
Messi vazhdon të udhëheqë Argjentinën
Ibrahimovic theksoi se Argjentina është një ekip shumë i fortë, por gjithmonë ka një emër që bën diferencën në momentet vendimtare.
“Njerëzit mund të flasin për Argjentinën si skuadër, për taktikat dhe kontrollin e ndeshjeve, por kur duhet diçka e veçantë, gjithmonë është një konstantë: Lionel Messi.”
Me dy fitore në dy ndeshje dhe me Messin në formë të jashtëzakonshme, Argjentina hyn me besim të madh në fazën e eliminimit direkt, ndërsa kampionët e botës vazhdojnë rrugëtimin drejt mbrojtjes së titullit.



Të tjera
Prindër, lërini fëmijët të qajnë!
Kurti mori pjesë në shënimin e 40-vjetorit të botimit të revistës “Dituria Islame”
Zgjedhen dy anëtarët e KGJK-së, nga radhët e gjykatave të shkallës së parë