Prizren: Intervistohen edhe 28 të dyshuar për manipulim votash – Pesë ndalohen për 48 orë, katër prej tyre kryesues të komisioneve

Intervistohen edhe 28 të dyshuar për manipulim votash – Pesë ndalohen për 48 orë, katër prej tyre kryesues të komisioneve

Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë zgjeruar hetimet lidhur me grupin e dytë të të dyshuarve për manipulim të votave në këtë Komunë, transmeton KosovaPost.

Gjatë ditës së sotme, janë intervistuar 28 të dyshuar dhe gjashtë dëshmitarë.

“Pesë (5) prej tyre pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë. Katër (4) prej tyre, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 216 të KPRK-së, si dhe një (1) person në cilësinë e Koordinatorit të KKZ-së për Komunën e Prizrenit, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 të KPRK-së”, ka thënë Prokuroria Themelore në Prizren.

Nga kjo Prokurori, kanë shtuar se do të vlerësojnë  parashtrimin e kërkesës lidhur me caktimin e masës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë.

“Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës, mbeten të përkushtuara në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin”, thuhet mes tjerash në komunikatë.